Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, ka deklaruar se nuk e sheh të mundshme një luftë serioze në Kosovë, pavarësisht tensioneve dhe deklaratave të zyrtarëve serbë.
Deklarata e Ibishit vjen pas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili në një intervistë për Hungary Insider ka thënë se ambiciet territoriale të Serbisë përbëjnë kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Ibishi, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se, ndonëse Serbia mbetet burim shqetësimi, prania e forcave të NATO-s në Kosovë dhe kapacitetet e institucioneve të sigurisë janë faktorë të rëndësishëm për përballimin e situatave të mundshme.

Ai ka përmendur edhe sulmin në Banjskë, duke thënë se, edhe në atë rast kur kishte tendenca për një konflikt serioz dhe marrjen e veriut të Kosovës, institucionet e vendit ishin të gatshme të reagonin.
Sipas tij, aktualisht nuk sheh rrezik për një luftë serioze në Kosovë, megjithëse ka theksuar se institucionet e rendit marrin masa shtesë të sigurisë gjatë zgjedhjeve dhe ngjarjeve të rëndësishme.
Konjufca flet për median hungareze, paralajmëron për rrezikun e një përballjeje të re të armatosur me Serbinë
“Prej një fqinji të tillë (Serbia) kurrë nuk mund të presim dicka të mirë, por mendoj që duke pasur parasysh prezencën e forcave të NATO-s në Kosovë dhe si përgjegjësi ekskluzive për sigurinë e Kosovës mendoj që edhe në si shtet me kapacitetet tona që janë mirë të përgatitura e të stërvitura për tu përgjigjur në një luftë me përmasa të vogla jemi të përgatitur edhe vetë sikur kur ishte rasti i Banjskës që ishte tendencë që të hyhet në një konflik serioz për marrjen e veriut të Kosovës. Nuk e shoh një rrezik potencial, por organet e rendit marrin masa kur ka zgjedhje e ngjarje të tilla e mund të ketë ndonjë tendencë se nuk shoh të mundshme ndonjë luftë serioze në trojet tona”, u shpreh Ibishi.
Ibishi ka komentuar edhe deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, se flamuri serb do të valojë në Prizren.
Ai e ka cilësuar këtë deklaratë si pjesë të retorikës politike për mbledhjen e votave para zgjedhjeve në Serbi, duke theksuar se pretendimi i tillë mbetet vetëm dëshirë e politikanëve serbë.
“Një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”, është shprehur Ibishi.





