Në fshatin Kalludër e Vogël në komunën e Zubin Potokut kanë nisur gërmimet në një lokacion që dyshohet se mund të jetë varrezë masive e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Sipas një raportimi të RTV Dukagjinit, ekipi i këtij televizioni ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku po zhvillohen punimet.

Sipas raportimit, zona është vënë nën masa të rrepta sigurie dhe po ruhet nga njësitet elitare të Policisë së Kosovës, ndërsa në terren janë të pranishme edhe gjashtë patrulla të EULEX-it, të cilat po monitorojnë zhvillimin e operacionit.
Ky zhvillim vjen pasi Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte. Sipas autoriteteve, hetimet lidhen me ngjarje të periudhës së luftës, ndërsa dyshohet se arrestimet kanë të bëjnë me lokacionin ku po zhvillohen gërmimet.
Kalludra e Vogël lidhet me një nga rastet më të rënda të zhdukjeve me forcë gjatë luftës në Kosovë. Më 19 prill 1999, në zonën e Drethit dhe Kalludrës në Zubin Potok u rrëmbyen 23 shqiptarë, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shumica prej tyre nga rajoni i Mitrovicës.
Edhe pas më shumë se 27 vitesh, fati i tyre mbetet i pazbardhur. Institucionet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se dokumente zyrtare tregojnë për përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim, ndërsa kanë kërkuar bashkëpunim dhe hapjen e arkivave për zbardhjen e plotë të rastit.
Gërmimet në këtë lokacion pritet të hedhin dritë mbi një nga rastet më të ndjeshme të personave të zhdukur gjatë luftës, ndërsa familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.





