Përzgjedhësi i Kombëtares së Irlandës, Heimir Hallgrimson, ka folur në konferencën për shtyp para përballjes ndaj Kombëtares së Kosovës, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Hallgrimson e ka vlerësuar lartë ekipin kombëtar të Kosovës para sfidës së parë të grupeve në Ligën e Kombeve, duke theksuar se do të ishte i kënaqur edhe me një barazim.
“Duke e njohur Kosovën për kaq shumë kohë, ne luajtëm kundër Islandës në ditët e para të ekipit kombëtar. Ishte e vështirë për analistin në atë kohë, kishte lojtarë të rinj që vinin”, ka thënë fillimisht Hallgrimson në konferencën për shtyp.
“Para së gjithash, jam impresionuar duke parë rritjen nga viti 2016, kur ishin të 190-të në renditjen e FIFA-s, sot janë në vendin e 78-të, kështu që kjo është një rritje e jashtëzakonshme. Shumë mirë për federatën këtu për mënyrën se si i kanë zhvilluar lojtarët e tyre”, shtoi ai.
“Padyshim që do të jetë një ndeshje e vështirë për ne, të gjithë e dimë këtë. I kemi analizuar mjaft mirë dhe i kemi shqyrtuar pikat e tyre të forta, të cilat i kanë shumë. Do të ishim të lumtur të fillonit këtu edhe një barazim, ndeshja e parë e një turneu”.
“Sigurisht, gjithçka varet nga mënyra se si luajmë. Mendoj se lojtarët janë gati për këtë. Sigurisht, duhet të përqendrohemi në lojën kundër tyre. Kjo është një detyrë e vështirë për momentin. Por kur bëhet fjalë për ndeshjen, do të jemi plotësisht të gatshëm për atë që do të vijë”.
Trajneri i Irlandës foli edhe për lojtarët e Kosovës, duke i cilësuar si lojtarë cilësor, teksa veçoi sulmuesin Vedat Muriqi.
“Lojtari që duhet t’i kushtojmë vëmendje është Vedat Muriqi, golashënuesi i dytë në La Liga sezonin e kaluar, duke bërë paraqitje të mëdha. Po ashtu, ai shënoi katër gola javën e kaluar për Fenerbahçen. Gjithashtu, Fisnik Asllani është një lojtar i shkëlqyeshëm. Por Kosova ka në përgjithësi ekip të mirë të cilët luajnë në klube të mëdha si Juventusi, Besiktasi, Udinese”, përfundoi përzgjedhësi i Irlandës. /Telegrafi/






