Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka paralajmëruar për një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, duke thënë se politika e re tarifore e Shteteve të Bashkuara ka ndikuar ndjeshëm në tregti dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Përtej Atlantikut tani po fryn një erë ndryshe”, deklaroi Merz, duke iu referuar politikës së re tregtare të administratës amerikane.
Sipas kancelarit gjerman, vendosja e tarifave të reja nga SHBA-ja ka sjellë një rënie të ndjeshme të bashkëpunimit dhe tregtisë ndërkombëtare.
Merz tha se gjithnjë e më pak liderë botërorë besojnë në idenë se hapja ekonomike dhe tregtia e lirë sjellin përfitime për të gjitha palët.
“Në vend të kësaj, ata po mendojnë gjithnjë e më shumë në terma të lojërave me shumën zero, madje edhe të përfitimit në kurriz të të tjerëve dhe të shantazhit”, u shpreh ai.
Deklaratat e kancelarit gjerman vijnë në një kohë kur politikat tarifore të SHBA-së kanë rritur shqetësimet për të ardhmen e tregtisë globale dhe marrëdhënieve ekonomike mes fuqive të mëdha.
Lideri gjerman ka mbrojtur vazhdimisht rëndësinë e tregtisë së hapur dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e konsideruar ekonominë globale të ndërlidhur si një burim përfitimesh të përbashkëta. /Telegrafi/






