Një objekt i paidentifikuar ka hyrë në hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë mbrëmjen e 17 gushtit, ndërsa pak më vonë autoritetet raportuan një shpërthim në një zonë pranë fshatit Talmaza, në rrethin Ștefan Vodă.
Sipas mediave moldave, të cituara nga European Pravda, objekti u zbulua nga sistemet e Forcave të Armatosura të Moldavisë teksa lëvizte në drejtim të Cuciurgan-Tiraspol, transmeton Telegrafi.
Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë bëri të ditur se objekti u evidentua në orën 17:37, pas së cilës autoritetet urdhëruan mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore në sektorin Centru për rreth 15 minuta.
Objekti më pas u zhduk nga sistemet e vëzhgimit pranë fshatit Talmaza. Në të njëjtën zonë u dëgjua një shpërthim, ndërsa policia raportoi se pas incidentit një pjesë e vegjetacionit mori flakë.
Forcat e rendit rrethuan menjëherë zonën, ndërsa ekipet e specializuara u angazhuan për shuarjen e zjarrit dhe nisën hetimet për të përcaktuar se çfarë kishte ndodhur.
Në vendngjarje janë gjetur mbetje të objektit, të cilat pritet të ekzaminohen nga ekspertët e mjeteve shpërthyese dhe specialistët teknikë të policisë. Analizat duhet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një dron, raketë apo pajisje tjetër dhe, nëse është e mundur, origjinën e tij.
Ndërkohë, disa kanale ukrainase në Telegram, të cilat monitorojnë lëvizjen e armëve ajrore mbi Ukrainë, kanë pretenduar se mbi territorin moldav mund të ketë fluturuar një dron-raketë rus i tipit Banderol, i cili dyshohet se ka kaluar rreth 35 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Megjithatë, deri në përcaktimin zyrtar të llojit të objektit, këto pretendime mbeten të pakonfirmuara.
Incidenti ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë ajrore të Moldavisë, e cila ndodhet pranë Ukrainës dhe është prekur edhe më parë nga incidente të lidhura me konfliktin ruso-ukrainas.
Autoritetet moldave u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën ku janë gjetur mbetjet dhe, mbi të gjitha, të mos prekin asnjë pjesë të dyshimtë apo fragment të gjetur në terren, pasi mund të paraqesë rrezik.
Hetimet pritet të sqarojnë nëse objekti ka hyrë aksidentalisht në hapësirën ajrore moldave gjatë një sulmi ndaj Ukrainës apo nëse bëhet fjalë për një incident tjetër. /Telegrafi/






