“Nuk mendoj se duhet ta marrim”, skauti sekret ishte afër ta bllokonte e transferimin e Lionel Messit

Sport

Transferimi i Lionel Messit te Barcelona mund të kishte marrë një rrjedhë krejtësisht tjetër, pasi jo të gjithë drejtuesit e akademisë së klubit katalunas ishin të bindur për talentin e argjentinasit gjatë provave të tij në La Masia, në vjeshtën e vitit 2000. Tri raporte të brendshme të përgatitura në atë kohë zbulojnë dyshimet që […]

Madhësia e shkronjave

Transferimi i Lionel Messit te Barcelona mund të kishte marrë një rrjedhë krejtësisht tjetër, pasi jo të gjithë drejtuesit e akademisë së klubit katalunas ishin të bindur për talentin e argjentinasit gjatë provave të tij në La Masia, në vjeshtën e vitit 2000.

Tri raporte të brendshme të përgatitura në atë kohë zbulojnë dyshimet që ekzistonin për transferimin e atëhershëm 13-vjeçarit nga Rosario, pavarësisht cilësive të jashtëzakonshme teknike që kishte treguar. Dokumentet janë bërë publike nga Florent Torchut, gazetar i France Football dhe autor i biografisë “Rey Leo”.

Në raportin e parë vlerësoheshin lart teknika, vizioni i lojës dhe aftësia e Messit për t’i kaluar kundërshtarët, por theksohej se pika e tij e dobët ishte mungesa e fizikut.

Vlerësimi i dytë ishte shumë më negativ. Trajneri përgjegjës për vëzhgimin e tij shprehte shqetësime se gjatësia prej vetëm 142 centimetrash mund ta pengonte argjentinasin të konkurronte me futbollistët e kategorive më të larta të moshave.

“Unë mendoj se nuk duhet ta nënshkruajmë”, thuhej në raport, ku propozohej që Barcelona të priste edhe disa vjet përpara se ta rivlerësonte mundësinë e transferimit të tij.

Megjithatë, trajneri i tretë kishte një mendim krejtësisht të kundërt, duke parë te Messi potencialin për t’u shndërruar në një futbollist të jashtëzakonshëm.

“Duke marrë parasysh të gjitha gjërat, ai është një Maradona (i ri). Unë do ta nënshkruaja, pasi ka hapësirë të jashtëzakonshme për t’u zhvilluar”, shkruante ai në raportin e tij.

Në fund, Barcelona vendosi t’i besonte talentit argjentinas, një vendim që do të rezultonte ndër më të rëndësishmit në historinë e klubit.

Messi u shndërrua në golashënuesin më të mirë në historinë e Barcelonës, duke realizuar 672 gola në 778 ndeshje zyrtare dhe duke fituar gjithsej 35 trofe me fanellën e klubit katalunas.

Më shumë se 25 vjet pas atyre provave, raportet zbulojnë se si dyshimet për zhvillimin fizik të një 13-vjeçari mund të kishin ndryshuar rrjedhën e historisë së futbollit. Një vendim ndryshe nga Barcelona do të mund ta kishte privuar klubin nga një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave./Telegrafi/

Komentet