Gati gjysma e britanikëve do të refuzonin të merrnin armët në rast lufte, tregojnë rezultatet e një ankete të realizuar nga agjencia Ipsos.
Sipas rezultateve, 48 për qind e britanikëve thanë se nuk do të ishin të gatshëm të luftonin për vendin e tyre, ndërsa 36 për qind deklaruan se do ta bënin këtë në rrethana të caktuara. Për 16 për qind të të anketuarve nuk u publikuan të dhëna të veçanta.
Ipsos vlerëson se përqindjet kanë mbetur pothuajse të pandryshuara krahasuar me prillin e vitit 2025, pavarësisht shqetësimeve në rritje për kërcënimet nga vende si Rusia, Kina dhe Irani.
Megjithatë, anketa tregon se 51 për qind e britanikëve mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcat e armatosura.
Kjo përqindje është pothuajse dyfish më e lartë se në qershor të vitit 2022, kur një rritje e tillë mbështetej nga 28 për qind e të anketuarve.
Anketa u realizua nga 29 shtatori deri më 1 tetor, me pjesëmarrjen e 1.090 qytetarëve britanikë të rritur. /Telegrafi/






