Nagavci reagon pas incidentit me Fahrush Rexhepin: E papranueshme dhe e turpshme

Nacionale

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj incidentit të sotëm, ku deputeti i LVV-së, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, është kapur për duar dhe është shtyrë nga protestuesit. Nagavci e ka cilësuar si të papranueshme dhe të turpshme këtë sjellje, duke theksuar se e drejta për protestë dhe kritikë nuk nënkupton […]

Madhësia e shkronjave

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj incidentit të sotëm, ku deputeti i LVV-së, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, është kapur për duar dhe është shtyrë nga protestuesit.

Nagavci e ka cilësuar si të papranueshme dhe të turpshme këtë sjellje, duke theksuar se e drejta për protestë dhe kritikë nuk nënkupton të drejtën për përdorimin e forcës fizike ndaj një deputeti.

“Pamjet ku protestuesit e kapin për duarsh dhe e shtyjnë me forcë një deputet të Republikës së Kosovës nuk kanë asgjë të përbashkët me të drejtën demokratike për protestë. Protesta është e drejtë, kritika është e drejtë, kërkesa për llogaridhënie është e drejtë, por askush nuk ka të drejtë të përdorë forcën fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka vënë në pah edhe profilin e Rexhepit, duke e përshkruar si profesor universitar dhe doktor të shkencave të historisë.

Nagavci ka përmendur edhe familjen e deputetit, duke theksuar se vëllai i tij, Njazi Rexhepi, ishte pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe dëshmor i rënë në Betejën e Koshares, ndërsa vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Askush nuk fiton të drejtën të ushtrojë dhunë duke u thirrur në emër të UÇK-së, aq më pak ndaj një njeriu, familja e të cilit ka paguar me gjak çmimin e lirisë së Kosovës”, ka deklaruar Nagavci.

Sipas saj, përdorimi i dhunës në emër të vlerave të luftës nuk përfaqëson mbrojtjen e tyre.

“Kjo nuk është mbrojtje e vlerave të luftës. Kjo është cenim i tyre”, ka përfunduar ajo./Telegrafi/