Nis manifestimi “Ditët e Komandant Lleshit” në Bujanoc – kujtohet 25-vjetori i rënies së Ridvan Qazimit

Vendore

Në Tërnoc ka filluar zyrtarisht manifestimi përkujtimor “Ditët e Komandant Lleshit”, i organizuar me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të Ridvan Qazimit, i njohur si Komandant Lleshi, një nga figurat më të njohura të rezistencës së UÇPMB-së në Luginën e Preshevës. Manifestimi ka nisur dje me një aktivitet sportiv, konkretisht me një ndeshje futbolli […]

Madhësia e shkronjave

Në Tërnoc ka filluar zyrtarisht manifestimi përkujtimor “Ditët e Komandant Lleshit”, i organizuar me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të Ridvan Qazimit, i njohur si Komandant Lleshi, një nga figurat më të njohura të rezistencës së UÇPMB-së në Luginën e Preshevës.

Manifestimi ka nisur dje me një aktivitet sportiv, konkretisht me një ndeshje futbolli të zhvilluar në stadiumin e KF “Tërnoci”, ku morën pjesë qytetarë, të rinj dhe dashamirë të sportit, duke shënuar edhe hapjen simbolike të programit përkujtimor që do të zgjasë 3 ditë.

Në kuadër të aktiviteteve të ditës së sotme, është realizuar edhe vizita në muzeun e Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit në Tërnoc, ku pjesëmarrësit kanë bërë homazhe dhe kanë kujtuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij për çështjen kombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve në rajon. Gjatë vizitës është theksuar rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së saj tek gjeneratat e reja.

Ndërkohë, nesër (25 maj), që përkon me ditën kryesore të manifestimit, do të vazhdojnë aktivitetet përkujtimore sipas agjendës së paraparë. Nga ora 12:00 është planifikuar vizita në muzeun e Komandant Lleshit në Tërnoc, ku pritet pjesëmarrje më e gjerë e qytetarëve, përfaqësuesve institucionalë dhe bashkëluftëtarëve.

Më pas, në ora 14:00, aktivitetet do të vazhdojnë me vizitën në lokalitetin e njohur “Gurët e Buajve”, një nga pikat përkujtimore të përfshira në programin e këtij manifestimi.

Organizatorët – Komuna e Bujanocit, Bashkësia Lokale e Tërnocit dhe OVL-UÇPMB – theksojnë se qëllimi i këtij manifestimi është nderimi i figurës së Ridvan Qazimit, si dhe ruajtja e kujtesës historike për rolin e tij dhe të bashkëluftëtarëve në periudhën e rezistencës së armatosur në Luginën e Preshevës.

Manifestimi “Ditët e Komandant Lleshit” do të vazhdojë deri më 25 maj, kur edhe pritet të përmbyllet programi kryesor përkujtimor./BujanociNet/