Nga padrejtësia braziliane te ëndrra amerikane: Dzeko kërkon t’i shërojë Dzeko nga plagët e viti 2014

Sport

Ka momente në futboll që nuk harrohen kurrë, pavarësisht sa kohë kalon. Për tifozët e Bosnjës dhe Hercegovinës, një prej tyre mbetet ndeshja ndaj Nigerisë në Kupën e Botës 2014, kur një vendim i diskutueshëm i gjyqtarëve mund t’i kushtonte ekipit kombëtar kualifikimin historik në fazën e eliminimit direkt. Pas humbjes ndaj Argjentinës në ndeshjen […]

Madhësia e shkronjave

Ka momente në futboll që nuk harrohen kurrë, pavarësisht sa kohë kalon. Për tifozët e Bosnjës dhe Hercegovinës, një prej tyre mbetet ndeshja ndaj Nigerisë në Kupën e Botës 2014, kur një vendim i diskutueshëm i gjyqtarëve mund t’i kushtonte ekipit kombëtar kualifikimin historik në fazën e eliminimit direkt.

Pas humbjes ndaj Argjentinës në ndeshjen e parë të grupit, Bosnja kishte nevojë për rezultat pozitiv ndaj Nigerisë për të mbajtur gjallë shpresat për kalim tutje.

Në minutën e 21-të, Zvjezdan Misimović dhuroi një asistim të shkëlqyer për Edin Dzekon, i cili e dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi festën e tifozëve boshnjakë.

Megjithatë, festa zgjati pak. Asistenti ngriti flamurin për pozitë jashtë loje, ndërsa gjyqtari nga Zelanda e Re, Peter O’Leary, anuloi golin. Pamjet televizive treguan qartë se Dzeko ishte në pozicion të rregullt dhe se goli duhej të ishte pranuar.

Vetëm pak minuta më vonë, Nigeria realizoi golin e fitores. Boshnjakët protestuan edhe për aksionin që parapriu golin, pasi konsideronin se ishte bërë faull ndaj kapitenit Emir Spahic, por loja vazhdoi dhe Peter Odemwingie shënoi për 1-0.

Deri në fund të ndeshjes, Bosnja sulmoi pa pushim në kërkim të barazimit. Edin Dzeko ishte pranë golit në momentet vendimtare, por goditi shtyllën, ndërsa fati nuk ishte në anën e “Dragonjve”.

Edhe pas më shumë se një dekade, ai gol i anuluar vazhdon të konsiderohet si një nga padrejtësitë më të mëdha në historinë e futbollit boshnjak. Vetë Dzeko ka pranuar se nuk do ta harrojë kurrë atë moment.

Megjithatë, Bosnja e mbylli atë Botëror me një fitore 3-1 ndaj Iranit, duke regjistruar suksesin e saj të parë në një turne të madh.

Sot, 12 vjet më vonë, Edin Dzeko ka ndihmuar sërish Bosnjën dhe Hercegovinën të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, duke u dhënë tifozëve shpresën për të përjetuar net të reja historike dhe për të lënë pas kujtimet e hidhura të Brazilit 2014. /Telegrafi/