Nga dy finale të Ligës së Kampionëve te rreziku i rënies – sot Valencia lufton për mbijetesë

Sport

Valencia, dikur një prej skuadrave më të forta të futbollit evropian, po përjeton një rënie dramatike. Klubi që në vitet 2000 arriti dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve, sot po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll, ndërsa pakënaqësia e tifozëve ndaj pronarit Peter Lim ka arritur kulmin. Kriza u bë edhe më […]

Madhësia e shkronjave

Valencia, dikur një prej skuadrave më të forta të futbollit evropian, po përjeton një rënie dramatike. Klubi që në vitet 2000 arriti dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve, sot po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll, ndërsa pakënaqësia e tifozëve ndaj pronarit Peter Lim ka arritur kulmin.

Kriza u bë edhe më e dukshme pas humbjes 5-0 ndaj Barcelonës më 6 shtator, ndërsa që atëherë, ekipi mori dy humbje, dy barazime dhe një fitore, ndërsa mban vendin e 19-të, me 6 pikë.

Mesfushori Rodri u kap nga kamerat duke komentuar se Valencia ishte shumë e dobët dhe nuk kishte arritur ta kalonte mesin e fushës. Ai më pas kërkoi falje, duke sqaruar se fjalët e tij kishin qenë një reagim ndaj asaj që po shihte në fushë dhe jo një përpjekje për ta nënçmuar klubin.

Por prapa fjalëve të Rodrit është një e vërtetë e madhe, përnjëmend Valencia aktualisht është shumë dobët.

Kur Valencia frikësonte Evropën

Epoka e artë nisi në fund të viteve ’90, kur trajneri Claudio Ranieri ndërtoi një skuadër konkurruese, me futbollistë si Gaizka Mendieta, Claudio López dhe Miguel Ángel Angulo.

Valencia fitoi Kupën e Mbretit në vitin 1999, ndërsa një vit më vonë, nën drejtimin e Héctor Cúperit, arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, ku humbi 3-0 nga Real Madridi.

Në sezonin 2000/01, Valencia u rikthye në finalen e garës më prestigjioze evropiane. Këtë herë, kundërshtar ishte Bayern Munichu.

Pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt, skuadra spanjolle u mposht 5-4 në penallti, duke përjetuar një tjetër zhgënjim të madh.

Megjithatë, Valencia nuk u ndal me kaq. Me Rafael Benítezin në stol, klubi fitoi La Ligën në sezonet 2001/02 dhe 2003/04, ndërsa në vitin 2004 triumfoi edhe në Kupën UEFA, duke mposhtur Marseille në finale.

Në atë periudhë, Valencia ishte një skuadër e organizuar, me identitet të qartë dhe e aftë të rivalizonte gjigantët e futbollit spanjoll.

Peter Lim dhe përplasja me tifozët

Në vitin 2014, biznesmeni nga Singapori, Peter Lim, mori drejtimin e klubit, duke ngjallur shpresat për një rikthim të Valencias në majat e futbollit evropian.

Në vitin 2019, skuadra fitoi Kupën e Mbretit dhe u kualifikua në Ligën e Kampionëve, por shkarkimi i trajnerit Marcelino dhe largimi i drejtorit sportiv Mateu Alemany shkaktuan zemërim te tifozët.

Që atëherë, pakënaqësia ndaj pronarit është shtuar. Tifozët e akuzojnë Lim për mungesë të një projekti të qëndrueshëm sportiv, ndërsa klubi ka humbur gradualisht pozitën që dikur e kishte në futbollin spanjoll.

Ish-portieri legjendar i Valencias, Santiago Cañizares, është ndër kritikët e zëshëm të pronarit.

Ai ka vënë në pah kontrastin mes potencialit të klubit dhe situatës aktuale, duke theksuar se Valencia vazhdon të ketë një bazë të jashtëzakonshme tifozësh, pavarësisht rezultateve zhgënjyese.

Portieri Canizares, pjesë e atij ekipi legjandat

Një rënie që mund të përfundojë me katastrofë

Sipas analizës së mediumit “Goal.com”, Valencia hyri në pushimin e kombëtareve në zonën e rënies nga La Liga, duke e bërë real rrezikun e një prej kapitujve më të errët në historinë e saj moderne, pozitë që e mban edhe ost.

Për disa tifozë, situata është aq e rëndë sa largimi i Peter Lim është bërë po aq i rëndësishëm sa mbijetesa në elitë.

Është një kontrast i dhimbshëm për një klub që dikur mposhtte Barcelonën dhe Real Madridin, luante finale të Ligës së Kampionëve dhe fitonte trofe evropianë.

Sot, Valencia po lufton jo vetëm për pikët, por edhe për të rikthyer besimin e tifozëve dhe për të gjetur një drejtim të qartë për të ardhmen.

Rënia nga La Liga do të ishte një goditje e madhe sportive dhe financiare. /Telegrafi/

Komentet