Protesta e studentëve në Tiranë, në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të drejtën e zhvillimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, u shoqërua me thirrje të forta për unitet kombëtar dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Studenti Jon Bislimi, shqiptar me origjinë nga Kosova, i lindur dhe rritur në Francë, në fjalën e tij paralajmëroi se nesër protesta do të zhvillohen edhe në Prishtinë.

“Studentët kanë qenë gjithmonë të parët në çdo lëvizje shoqërore e kombëtare. Sot u zgjuan në Shkup, sot jemi këtu në Tiranë dhe nesër duhet të vazhdohet në Prishtinë”, u shpreh ai para protestuesve në Sheshin Skënderbej.
Bislimi theksoi se shqiptarët nuk janë “mysafirë”, por “zot shtëpie”, ndërsa shtoi se prekja e të drejtave të një studenti shqiptar në Shkup është njësoj si të prekësh studentët në Tiranë, Prishtinë apo Preshevë.
Në fjalën e tij nuk munguan as thirrjet për mbrojtjen e gjuhës shqipe në institucione dhe universitete, ndërsa turma iu përgjigj me thirrjet “UÇK, UÇK”.
“Gjuha shqipe do të flitet, do të jetohet dhe do të mbrohet në çdo institucion. Nuk kërkojmë më vetëm të mbijetojmë, por të jetojmë me dinjitet dhe ballë lart”, deklaroi studenti shqiptar.





