Nëntë të vdekur, mes tyre dy fëmijë dhe një grua shtatzënë, në një incident në Pensilvani

Bota

Nëntë persona, përfshirë dy fëmijë dhe një grua shtatzënë, dyshohet se janë vrarë nga një person i armatosur në një shtëpi në qytetin Erie, në shtetin amerikan të Pensilvanisë, të premten në mbrëmje. I dyshuari vdiq nga një plagë me armë zjarri që dyshohet se ia shkaktoi vetes. “Dua të jem i sinqertë me komunitetin […]

Madhësia e shkronjave

Nëntë persona, përfshirë dy fëmijë dhe një grua shtatzënë, dyshohet se janë vrarë nga një person i armatosur në një shtëpi në qytetin Erie, në shtetin amerikan të Pensilvanisë, të premten në mbrëmje. I dyshuari vdiq nga një plagë me armë zjarri që dyshohet se ia shkaktoi vetes.

“Dua të jem i sinqertë me komunitetin tonë: kjo është një nga skenat më të vështira dhe më tronditëse që oficerët dhe hetuesit tanë kanë hasur ndonjëherë”, deklaroi shefi i policisë së Erie-s, Rick Lorah, para gazetarëve.

“Humbja e jetëve është shkatërruese dhe rrethanat që po hetojmë janë thellësisht shqetësuese”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.

Policia u njoftua për të shtëna rreth orës 17:00, në bllokun 700 të rrugës Perry Street në Erie, raportoi mediumi lokal Erie News Now. Sipas këtij mediumi, kur mbërritën në vendngjarje, policët gjetën dy gra të shtrira në rrugë, jashtë shtëpisë, me plagë vdekjeprurëse nga armët e zjarrit.

I dyshuari, i armatosur me pistoletë, ishte barrikaduar brenda banesës, duke shkaktuar një përballje me njësinë speciale SWAT. Gjatë këtij operacioni u dëgjuan disa të shtëna brenda shtëpisë, sipas pamjeve të publikuara nga Erie News Now.

Shefi i policisë konfirmoi vdekjen e të dyshuarit, por nuk dha detaje për numrin e viktimave. Megjithatë, Erie News Now raportoi se numri i të vdekurve kishte arritur në nëntë.

Pas ndërhyrjes, policia zbuloi disa viktima në pjesë të ndryshme të shtëpisë. Njëra prej tyre ishte shtatzënë në momentin e të shtënave.

Lorah tha se nuk do të jepte hollësi të tjera për skenën e krimit, në shenjë respekti për viktimat. Deri më tani nuk është bërë i ditur motivi i mundshëm i ngjarjes dhe as marrëdhënia mes të dyshuarit dhe viktimave.

Policia bëri të ditur se nuk ka më rrezik për publikun.

“Zemrat tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Nuk ka fjalë që mund ta shprehin në mënyrë të mjaftueshme përmasën e humbjes së jetëve këtu”, deklaroi Lorah. /Telegrafi/