Nëna e këngëtarit Oliver Tree, Christine Begin Nickell, ka ndarë detaje prekëse nga biseda e fundit me të birin, vetëm një ditë para se ai të humbte jetën në aksidentin tragjik me helikopter në Rio de Janeiro të Brazilit, më 14 qershor.
Gjatë një ceremonie përkujtimore të mbajtur në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz, ajo tregoi se e kishte kontaktuar Oliverin për ta pyetur nëse po i qëndronte premtimit për të lënë duhanin.

Sipas saj, artisti e telefonoi menjëherë në FaceTime dhe me humor i nxori tymin e cigares përballë kamerës, por mbi të gjitha dukej “i lumtur dhe i emocionuar për jetën”.
Christine zbuloi se Oliver i kishte folur me entuziazëm për planet e tij për të udhëtuar drejt një shtëpie në majë të një mali, ku do të krijonte muzikë dhe përmbajtje në TikTok me miqtë e tij. Ajo tha se djali i saj gjithmonë kërkonte të jetonte përvoja të paharrueshme, shkruan DailyMail.
Në aksidentin fatal humbën jetën edhe YouTuberi Gaspar “Gaspi” Prim, regjisori Lucas Vignale, producenti muzikor Lucas Brito Chaves, si dhe dy pilotët Charles Marsillac dhe Alexandre Souza.
Ceremonia përkujtimore mblodhi familjarë, miq dhe emra të njohur si Logan Paul, Diplo dhe Ethan Klein.
Gjatë aktivitetit u mbajtën homazhe, interpretime muzikore dhe fjalime në nder të artistit, ndërsa fondet e mbledhura do të shkojnë për Fondacionin “Oliver Tree for Baby Geniuses”, i krijuar për të mbështetur artistët e rinj. /Telegrafi/





