Nelson Hysa është takuar për herë të parë “face to face” me kundërshtarin e tij të radhës, boksierin gjerman me origjinë kurde, Agit Kabayel, me të cilin do të përballet më 28 nëntor në stadiumin “Spiel Arena” në Dusseldorf.
Në prag të kësaj përballjeje të madhe, Hysa ka shprehur entuziazmin e tij për sfidën, por edhe për atmosferën që pritet të krijohet në stadium, ku pret një mbështetje të madhe nga tifozët shqiptarë.
Boksieri shqiptar e ka vlerësuar marrëveshjen për këtë duel, duke falënderuar të dyja ekipet për mundësinë që iu dha për t’u përballur me Kabayel.
“Faleminderit ekipit tim dhe ekipit të Agit Kabayel që pranuan ofertën time për të luftuar. Kam një karrierë të madhe dhe jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e kësaj atmosfere”, u shpreh Hysa.
Hysa e di se në Dusseldorf nuk do të jetë i vetëm. Ai pret që mijëra shqiptarë të jenë të pranishëm në stadium për ta mbështetur në një prej sfidave më të rëndësishme të karrierës së tij.
“E di që do të ketë shumë tifozë shqiptarë. Jam i emocionuar të shoh flamurin tim në këtë stadium dhe jam i lumtur që do ta vendos flamurin tim në titullin botëror”, deklaroi ai.
Hysa u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të jenë të pranishëm në stadium, duke kërkuar që atmosfera të jetë kuqezi.
“I ftoj të gjithë shqiptarët të jenë aty me flamurin më të mirë në botë dhe t’u tregojmë të gjithëve se ne jemi më të mirët në botë”, përfundoi Hysa./Telegrafi/






