Forumi i Industrisë së Mbrojtjes i Samitit të NATO-s do të mbahet më 7 korrik 2026 në Ankara të Turqisë, si pjesë e Samitit të NATO-s për këtë vit.
Ngjarja cilësohet nga Aleanca si forumi kryesor i nivelit të lartë për prodhimin, investimet dhe inovacionin në mbrojtjen transatlantike shkruan Telegrafi.
Sipas NATO-s, forumi do të mbledhë zyrtarë të lartë të Aleancës, përfaqësues të vendeve aleate dhe partnere, liderë të industrisë së mbrojtjes dhe komunitete të inovacionit, për të diskutuar sfidat më urgjente në këtë fushë.
Fokusi kryesor do të jetë progresi i aleatëve drejt planit historik të NATO-s për investime në mbrojtje prej 5 për qind, si dhe mënyra se si këto mjete po shndërrohen në rritje të prodhimit, bashkëpunim më të madh dhe prokurim të përbashkët.
Programi parasheh sesione të mbyllura gjatë paradites dhe seanca plenare gjatë pasdites, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt për publikun dhe do të jenë të hapura për mediat. Për herë të parë, në kuadër të forumit do të ketë edhe njoftime të nivelit të lartë për marrëveshje, iniciativa dhe rezultate konkrete në fushën e mbrojtjes.
Temat pritet të përfshijnë bashkëprodhimin transatlantik, inovacionin, bashkëpunimin praktik mes NATO-s dhe industrisë, hapësirën dhe mbikëqyrjen, mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, si dhe kapacitetet goditëse.
Samiti mbahet në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, me luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe debatet për rolin e Evropës në sigurinë e saj si tema që po peshojnë mbi Aleancën.
Sipas mediave ndërkombëtare, takimi i Ankarasë shihet edhe si test për unitetin transatlantik, ndërsa pritet të rikonfirmohet mbështetja për Ukrainën dhe të theksohet nevoja për një NATO më të unifikuar dhe më të vendosur.
Telegrafi po e përcjell ngjarjen nga Ankaraja dhe do të sjellë informacione në kohë reale. /Telegrafi/.






