Ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuar në rrënojat e tërmeteve të dyfishta që goditën Venezuelën, një tjetër garë është duke u zhvilluar nga hapësira.
Agjencitë hapësinore, kompanitë e teknologjisë dhe organizatat ndërkombëtare kanë aktivizuar një rrjet mjetesh të Al dhe analizës gjeohapësinore për të identifikuar, brenda pak orësh, zonat që ka më shumë gjasa të jenë shkatërruar dhe për të ndihmuar në drejtimin e burimeve të emergjencës aty ku nevojiten më shumë.
Një nga aktorët kryesorë është NASA, e cila ka aktivizuar programin e saj të reagimit ndaj fatkeqësive së bashku me studiuesit në Universitetin Shtetëror të Oregonit.
Detyra e tyre është të analizojnë imazhet e radarit të kapura para dhe pas tërmetit për të zbuluar ndryshime të menjëhershme në tokë dhe në ndërtesa.
Duke përdorur këtë sistem, shkencëtarët vlerësojnë se gati 59,000 ndërtesa mund të jenë dëmtuar ose shkatërruar , një shifër paraprake që ndihmon në drejtimin e përpjekjeve fillestare të shpëtimit.
Megjithatë, këto imazhe nuk do të ishin të mundura pa programin evropian Copernicus.
Satelitët Sentinel-1, të operuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës, ofrojnë imazhe radari me rezolucion të lartë që bëjnë të mundur matjen e lëvizjeve të tokës vetëm prej disa centimetrash dhe identifikimin e ndërtesave, forma e të cilave ka ndryshuar pas tërmetit.
Ky informacion është lënda e parë mbi të cilën funksionojnë algoritmet e Al.
Microsoft i është bashkuar kësaj përpjekjeje përmes laboratorit të Al.
Kompania ka zhvilluar modele të vizionit kompjuterik të afta për të analizuar automatikisht mijëra imazhe satelitore për të klasifikuar ndërtesat sipas gjasave që ato janë dëmtuar.
Në vend që të zëvendësojnë ekipet në terren, këto modele ndihmojnë në përcaktimin e prioriteteve dhe nxjerrin në pah se cilat lagje duhet të inspektohen të parat.
I gjithë ky informacion në fund të fundit arrin tek ata që kanë nevojë falë Qendrës së Kombeve të Bashkuara për të Dhëna Humanitare (HDX), platformës ku Microsoft publikon hartat e dëmeve në mënyrë që qeveritë, OJQ-të dhe ekipet e shpëtimit të mund t’i konsultojnë ato pothuajse në kohë reale.
Në këtë mënyrë, organizata të ndryshme punojnë nga e njëjta bazë të dhënash dhe mund të koordinojnë më mirë reagimin humanitar.
Por, ekspertët theksojnë se asnjë nga këto mjete nuk zëvendëson inspektimin në terren.
Hartat e gjeneruara nga inteligjenca ofrojnë vlerësime probabilistike, jo një diagnozë përfundimtare.
Por kur mijëra ndërtesa mund të jenë prekur dhe çdo orë ka rëndësi në kërkimin e të mbijetuarve, të kesh një pamje pothuajse të menjëhershme të katastrofës mund të bëjë diferencën midis mbërritjes në kohë dhe mbërritjes shumë vonë. /Telegrafi/






