Abdullah Prapashtica, një nga figurat e hershme të organizimit politik shqiptar në Kosovë, ka rrëfyer në emisionin “Dosjet” në RTVDukagjini për rrethanat që, sipas tij, çuan në angazhimin e tij politik dhe në krijimin e një organizimi të ri në vitet ’70.
Prapashtica ka thënë se rrethanat historike të asaj kohe ndikuan në vendimin e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij për t’u organizuar politikisht.
“Mendoj që rrethanat historike të cilat mbretëronin atëherë ishin ato që diktuan kursin të cilin unë e mora bashkë me shokët e mi. Kosova doli nga ajo errësira e kohës së Rankoviqit dhe filloi të bëjë një hap më përpara, mirëpo pozita politike e popullit shqiptar në Jugosllavi dhe Kosovës ishte tepër e ngushtë për me u zhvillu vendi dhe populli ashtu si duhet. Prandaj, ne morëm vendim që t’i hyjmë organizimit për ta çuar këtë proces më tutje”, ka deklaruar Prapashtica.
Ai ka theksuar se angazhimi i tij politik ishte i lidhur kryesisht me çështjen kombëtare dhe jo me ideologjinë.

“Mendoj që kjo politikisht më tepër është në aspektin patriotik, sepse ne jemi lidhur me çështjen kombëtare, jo me çështjen e ideologjisë apo çështje politike. Neve na ka interesuar fati i popullit tonë dhe i vendit tonë”, është shprehur ai.
Prapashtica ka treguar se ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968 dhe se kërkesa për Republikën e Kosovës ishte një nga çështjet që ndikuan në zhvillimet e mëvonshme.
“Në ato demonstrata janë shtruar kërkesat për ndryshimin e pozitës së popullit shqiptar në Jugosllavi dhe mes kërkesave kryesore ka qenë kërkesa për vetëvendosje dhe republikë. Kërkesa të tjera, për universitet, për flamur, u realizuan, ndërsa kërkesa për Republikë mbeti e parealizuar”, ka thënë Prapashtica.
Sipas tij, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kishin pritur që çështja e Republikës së Kosovës të trajtohej në Kongresin e 10-të të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, por kjo nuk ndodhi.
“Ne si gjeneratë që kemi marrë pjesë në ato ngjarje, kemi llogaritur që në Kongresin e 10-të të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë ka me u shtru edhe çështja e Republikës së Kosovës. Dhe lëre që nuk u shtrua ajo për zgjedhje, prandaj i kemi hy organizimit”, ka rrëfyer ai.
Duke folur për orientimin marksist-leninist të organizimit, Prapashtica ka shpjeguar se kjo lidhej edhe me rrethanat ndërkombëtare të asaj kohe dhe me faktin se Shqipëria ishte shtet socialist.
“Duke e pasur parasysh edhe vendi, shteti amë i yni, Shqipëria, ka qenë socialist, ne jemi përcaktuar për atë vijë”, ka deklaruar ai.
Prapashtica ka treguar se në vitin 1975, së bashku me bashkëpunëtorë të tij, atëherë studentë të Fakultetit Juridik, vendosën të fillonin krijimin e bërthamës së parë të organizimit.
“Ka qenë iniciativë e shokut tim të fëmijërisë, Rexhep Maqedonci, që ne të lidhemi me grupin revolucionar të Kadri Osmanit. Ka qenë një grup të cilin e ka themeluar Kadri Osmani, Binak Ulaj dhe Xhafer Shatri, por unë kam qenë atëherë vetëm më i përgatitur nga aspekti konspirativ dhe e kam ditur që ne aty mundemi me u zbulu dhe na shkon mundimi kot. Prandaj kemi vendosur me shku në një organizim krejtësisht të ri”, ka rrëfyer Prapashtica./RTVD.





