Prapashtica rrëfen për PKMLSHJ-në: Në vitin 1978 e themeluam organizatën, synimi ishte Republika Shqiptare në Jugosllavi

Nacionale

Abdullah Prapashtica ka rrëfyer në emisionin “Dosjet”, në RTVD për mënyrën se si nisi organizimi politik ilegal i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij gjatë viteve ’70. Në rrëfimin e tij, Prapashtica ka treguar se procesi i organizimit kishte nisur para themelimit të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), ndërsa vendimi për krijimin e […]

Madhësia e shkronjave

Abdullah Prapashtica ka rrëfyer në emisionin “Dosjet”, në RTVD për mënyrën se si nisi organizimi politik ilegal i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij gjatë viteve ’70.

Në rrëfimin e tij, Prapashtica ka treguar se procesi i organizimit kishte nisur para themelimit të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), ndërsa vendimi për krijimin e një organizimi të ri ishte marrë pas diskutimeve për mënyrën e veprimit në rrethana ilegale.

Ai ka thënë se fillimisht kishte pasur një ide për t’u lidhur me grupin revolucionar të Kadri Osmanit, por, sipas tij, frika nga zbulimi i organizimit i kishte shtyrë ata të ndiqnin një rrugë tjetër.

Prapashtica ka treguar se bazat e organizimit u vendosën nga tre studentë – Rexhep Maqedonci, Osman Sullqaku dhe ai – ndërsa përgatitjet për themelimin e PKMLSHJ-së zgjatën rreth tre vjet.

Sipas tij, PKMLSHJ-ja u themelua në shtator të vitit 1978, pas një periudhe të përgatitjes teorike dhe diskutimeve për platformën politike të organizatës.

Prapashtica ka treguar gjithashtu se organizimi u përpoq të testonte opinionin përmes pyetësorëve, ndërsa më vonë u ndërtua edhe një strukturë e brendshme e bazuar në të ashtuquajturat “10-she”.

Në intervistë, ai ka folur edhe për kontaktet me figura të tjera të veprimtarisë ilegale shqiptare, përfshirë Halil Alidemën, si dhe për synimin politik që, sipas tij, kishte PKMLSHJ-ja.

I pyetur nga Ermal Panduri nëse para vitit 1975 kishte qenë pjesë e ndonjë organizate tjetër, Prapashtica ka thënë se jo, por ka treguar për një përpjekje për t’u lidhur me grupin revolucionar të Kadri Osmanit.

“Ka qenë iniciativë e shokut tim të fëmijërisë, Rexhep Maqedonci, që ne të lidhemi me grupin revolucionar të Kadri Osmanit. Ka qenë një grup të cilin e ka themeluar Kadri Osmani, Binak Ulaj dhe Xhafer Shatri, por unë kam qenë atëherë më i përgatitur nga aspekti konspirativ dhe e kam ditur që ne aty mundemi me u zbulu dhe na shkon mundimi kot. Prandaj kemi vendosur me shku në një organizim krejtësisht të ri”, ka deklaruar ai.

Prapashtica ka treguar se tre studentët që hodhën bazat e organizimit ishin ai, Rexhep Maqedonci dhe Osman Sullqaku.

“Fillimisht kemi qenë ne tre studentë. Ka qenë Rexhep Maqedonci, Osman Sullqaku dhe unë që i kemi vendosur bazat e organizimit. Pastaj, përgatitja për krijimin e PKMLSHJ-së ka zgjatur tre vjet. Në shtatorin e vitit 1978 ne e kemi themeluar PKMLSHJ-në”, ka thënë Prapashtica.

Sipas rrëfimit të tij, fillimisht ishte diskutuar kërkesa për Republikën e Kosovës, por më vonë organizimi kishte përcaktuar një objektiv më të gjerë politik – krijimin e një Republike Shqiptare në Jugosllavi.

“Fillimisht ka qenë punë e përgatitjes teorike të bazës së PKMLSHJ-së dhe ne kemi lëvizur në mes kërkesës për Republikë për ish-krahinën autonome të Kosovës dhe përfundimisht kemi vendosur që me shku në kërkesën për krijimin e Republikës Shqiptare në Jugosllavi, në të cilën do të përfshihen të gjitha viset dhe pjesët e popullit shqiptar, të ndarë në tri Republika”, ka deklaruar ai.

Prapashtica ka thënë se për përgatitjen e kësaj platforme janë konsultuar edhe me persona më të moshuar.

“Po, jemi konsultuar edhe me njerëz që kanë qenë më të moshuar se ne dhe kemi marrë edhe mendimin e tyre”, ka treguar ai.

Si u testua opinioni përmes “Leksikonit”?

Pas themelimit të organizatës, sipas Prapashticës, u ndërmorën edhe aksione për zgjerimin e radhëve dhe testimin e opinionit.

Një prej tyre, sipas tij, ishte aksioni i quajtur “Leksikoni”, në kuadër të të cilit ishte përgatitur një pyetësor me tema të ndryshme.

“Mes tyre kemi përfshi edhe pyetjet: ‘Pse nuk është Kosova Republikë?’, ‘Kur do të bëhet Kosova Republikë?’, dhe ato ua kemi dhënë bashkëmoshatarëve tanë me lexu, tani kemi kërkuar edhe mendimin e tyre”, ka rrëfyer Prapashtica.

I pyetur se si ishte e mundur që një çështje e tillë të shtrohej publikisht në atë periudhë, Prapashtica e ka lidhur këtë me rrethanat politike pas periudhës së Rankoviqit.

“Tani është periudha pas-Rankoviqiste dhe jeta politike ka qenë më e liberalizuar në atë kohë. Dhe kërkesa për Republikë nuk është trajtuar shumë, në atë kohë, si e ndaluar, sepse Jugosllavia është përbërë prej gjashtë republikave”, ka deklaruar ai.

Prapashtica ka thënë se në atë kohë ata nuk ishin paraqitur publikisht si organizatë, por vepronin individualisht për të testuar opinionin dhe për të identifikuar persona që i mbështesnin idetë e tyre.

“Ne nuk kemi dalë si organizatë në atë kohë, kemi dalë vetëm si individë, edhe kemi bërë testimin e opinionit dhe agjitacionin përmes këtij pyetësori dhe kemi zgjedhur kuadra dhe njerëz që i kanë përkrahur ato vizione tona, ata i kemi afruar dhe i kemi organizuar”, ka thënë ai.

Në intervistë, Prapashtica ka shpjeguar edhe strukturën e organizimit, duke thënë se ajo ishte e ndërtuar mbi sistemin e “10-shes”.

“Një njeri ka mundur t’i angazhojë 10 veta, por veç e veç dhe jo ata me u njoftë njëri-tjetrin. Kjo ka qenë 10-shja e secilit aktivist”, ka shpjeguar ai.

Prapashtica ka treguar se kontakti me Halil Alidemën ishte vendosur më vonë, në fund të vitit 1979 ose në fillim të vitit 1980.

Sipas tij, kontakti ishte bërë përmes Jahja Azemit, ndërsa Alidema kishte marrë edhe dokumentet e programit të PKMLSHJ-së.

“Me Halilin ka marrë kontakt një prej shokëve tanë, ai ka qenë një Jahja Azemi, ka qenë arsimtar në shkollë në Viti dhe ai ka kontaktuar me të dhe pastaj ia ka dorëzuar edhe dokumentet e programit PKMLSHJ-së”, ka deklaruar Prapashtica.

Ai ka thënë se Alidema më pas kishte vepruar në mënyrë të pavarur në organizimin e tij, ndërsa ka pretenduar se aktiviteti i tij mund të ishte vënë nën përcjelljen e shërbimeve të sigurimit.

Duke folur për objektivin e PKMLSHJ-së, Prapashtica ka deklaruar se synimi kryesor ishte krijimi i një Republike Shqiptare në Jugosllavi, ku do të përfshiheshin viset shqiptare të ndara në njësi të ndryshme federale.

“Qëllimi kryesor ishte arritja e krijimit të Republikës Shqiptare në Jugosllavi, ku do të bashkoheshin të gjitha viset dhe pjesët e popullit shqiptar”, ka thënë ai.

Sipas Prapashticës, krijimi i kësaj Republike do të sillte barazi me popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe do të krijonte mundësinë për vetëvendosje.

“Me krijimin e asaj Republike arrihej barazia me popujt tjerë të Jugosllavisë dhe krijohej mundësia për vetëvendosje deri në shkëputje. Domethënë ishte pastaj e hapur rruga për me shku tutje”, është shprehur ai.

Prapashtica ka thënë se në konceptin politik të organizatës, pas arritjes së Republikës synohej edhe një hap tjetër – bashkimi kombëtar./RTVD.