Dy shtetas shqiptarë, të moshës 42 dhe 27 vjeç, janë arrestuar nga policia italiane pasi në makinën me të cilën udhëtonin u zbuluan 5.4 kilogramë k******, të fshehura në një ndarje të posaçme.
Ngjarja ka ndodhur të premten e kaluar, kur efektivët e Skuadrës Fluturuese ndaluan automjetin që po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe po injoronte semaforët në Via De Sanctis, shkruan agjencia italiane e lajmeve Ansa, transmeton Telegrafi.
Gjatë kontrollit të automjetit, policët zbuluan një ndarje të fshehtë poshtë hapësirës së dorezave, ku ndodheshin pesë blloqe k******, me një peshë totale prej 5.4 kilogramësh.
Përveç lëndës narkotike, efektivët sekuestruan edhe mbi 10 mijë euro para të gatshme.
Në përfundim të operacionit, dy shqiptarët u arrestuan, ndërsa autoritetet italiane vijojnë procedurat hetimore për rastin.
Arrestimi i dy shtetasve shqiptarë u krye nga policia italiane në Torino./Telegrafi/