Skuadra italiane, Como barazoi rekordin e Liverpoolit dhe Real Madridit për fitoren më të thellë në histori të garës, ndërsa u bë ekipi i parë mysafir që shënon nëntë gola në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.
Como ka hyrë në librat e historisë së Ligës së Kampionëve, duke regjistruar një prej fitoreve më të mëdha që ka njohur ndonjëherë gara më prestigjioze evropiane për klube.
Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas ka shkatërruar Lensin me rezultat të pabesueshëm 1-9 në udhëtim, duke barazuar rekordin historik për fitoren më të thellë në Ligën e Kampionëve, me diferencë prej tetë golash.
Me këtë rezultat, Como barazoi dy fitoret më të thella të regjistruara më parë në këtë garë. Liverpooli kishte mposhtur Besiktasin me rezultat 8-0 në vitin 2007, ndërsa Real Madridi kishte shkatërruar Malmon me të njëjtin rezultat në vitin 2015.
▪️ Lens 1-9 Como (2026) ▪️ Real Madrid 8-0 Malmö (2015)▪️ Liverpool 8-0 Beşiktaş (2007)Como making history 👏#UCL https://t.co/mSbmhcLpHG
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) November 4, 2026
Megjithatë, skuadra italiane vendosi një rekord të veçantë, pasi u bë ekipi i parë në historinë e Ligës së Kampionëve që shënon nëntë gola në një ndeshje si mysafir. Vetëm Bayern Munichu kishte arritur më parë të shënonte nëntë gola në një takim, në fitoren 9-2 ndaj Dinamo Zagrebit në vitin 2024.
Protagonisti kryesor i kësaj mbrëmjeje ishte Tasos Douvikas, i cili realizoi het-trik, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Nico Paz, Lucas Da Cunha, Marc-Oliver Kempf, Mattia Liberali, Martin Baturina dhe Matteo Papaccioli.
Fitorja ndaj Lensit është një tjetër dëshmi e kampanjës mbresëlënëse të Comos në debutimin e saj në Ligën e Kampionëve, ku skuadra e Fabregasit po vazhdon të befasojë Evropën. /Telegrafi/