Supermodelja e njohur, Eva Herzigova, është martuar me partnerin e saj prej 25 vitesh, biznesmenin italian Gregorio Marsiaj.
Çifti kurorëzoi dashurinë e tyre në një ceremoni në kishën historike San Vito në Itali, ku të pranishëm ishin tre djemtë e tyre, George, Philipe dhe Edward si dhe familjarë e miq të afërt.
Herzigova, 53 vjeçe, shkëlqeu me një fustan të bardhë nga shtëpia e modës Lanvin, me një dekolte elegante dhe një mantel dramatik, ndërsa dhëndri zgjodhi një kostum klasik në ngjyrë gri të errët.
Pas ceremonisë fetare, çifti zhvilloi edhe ceremoninë civile në Palazzo Carignano, derisa darka intime e dasmës u mbajt në restorantin me yll Michelin Del Cambio.
Eva dhe Gregorio u njohën në vitin 2001 në Itali dhe u fejuan në vitin 2017.
Kjo është martesa e dytë për modelen me origjinë çeke, e cila më parë ka qenë e martuar me bateristin e grupit Bon Jovi, Tico Torres.
Herzigova u bë e famshme në vitet ’90 falë fushatës ikonike “Hello Boys” për Wonderbra, duke u shndërruar në një nga modelet më të njohura në botë dhe duke bashkëpunuar me marka të mëdha si Louis Vuitton, Dior, Chanel dhe Dolce & Gabbana.
Duke folur më herët për lidhjen e saj, Eva ka thënë se Gregorio i sjell lumturi në jetë dhe se pranë tij ndihet e pranuar pikërisht ashtu siç është. /Telegrafi/






