Mesazhet indirekte të Arbeloas ndaj yllit të Realit: Talenti nuk mjafton

Sport

Kylian Mbappe ka tërhequr edhe një herë vëmendjen kritike të mediave në kryeqytetin spanjoll, një situatë jo e re për sulmuesin francez. Megjithatë, këtë herë duket se edhe brenda Real Madridit nuk janë plotësisht të kënaqur me sjelljen e tij. Kapiteni i Francës u largua për herë të tretë këtë sezon nga Madridi gjatë fazës […]

Madhësia e shkronjave

Kylian Mbappe ka tërhequr edhe një herë vëmendjen kritike të mediave në kryeqytetin spanjoll, një situatë jo e re për sulmuesin francez.

Megjithatë, këtë herë duket se edhe brenda Real Madridit nuk janë plotësisht të kënaqur me sjelljen e tij.

Kapiteni i Francës u largua për herë të tretë këtë sezon nga Madridi gjatë fazës së rikuperimit nga një dëmtim, dhe kjo ndodhi në një moment delikat për skuadrën.

Ndërsa Real Madridi po përballej me Espanyol të dielën në mbrëmje, paparacët publikuan imazhe të Mbappes që kthehej në Spanjë me një avion privat, së bashku me partneren e tij Ester Exposito.

Ky episod nuk është pritur mirë nga presidenti i klubit, Florentino Perez.

I pyetur pas fitores ndaj Espanyolit, trajneri Alvaro Arbeloa deklaroi se lojtari është i lirë të veprojë si të dëshirojë gjatë kohës së lirë.

“E gjithë planifikimi për lojtarët e dëmtuar mbikëqyret nga stafi mjekësor i Real Madridit, i cili vendos kur duhet të jenë në Valdebebas dhe kur jo. Përtej kësaj, çdo lojtar vepron sipas gjykimit të tij në kohën e lirë, dhe unë nuk mund të ndërhyj”, ka thënë fillimisht për Marca.

Megjithatë, pesë nga gjashtë pyetjet në konferencën për shtyp iu referuan indirekt Mbappes dhe nivelit të përkushtimit të tij, ndërsa e vetmja tjetër kishte të bënte me paraqitjen e Vinicius Junior.

Braziliani është shpesh në qendër të krahasimeve me Mbappen, ndërsa debati për rolin e liderit në skuadër mbetet i hapur.

“Nuk kam asnjë dyshim për përkushtimin e lojtarëve të mi. Ata e dinë sa të rëndësishme janë këto ndeshje. Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë klub më të madh se Real Madridi, dhe të gjithë e kuptojnë këtë, çfarë përfaqësojnë dhe sa me fat janë që janë këtu”, shtoi Arbeloa.

Ai theksoi gjithashtu se për të fituar, kërkohet angazhimi maksimal i çdo lojtari.

“Nuk bëj krahasime mes lojtarëve. Na duhen të gjithë. Për të fituar çdo ndeshje, duhet përkushtimi i secilit. Më dhemb kur shoh që ekipet e tjera vrapojnë më shumë se ne, jo vetëm pa topin, por edhe me të. Kemi nevojë për angazhimin e të gjithëve për të bërë presing, për të mbrojtur dhe për të sulmuar”.

Në një mesazh që shumë media në Spanjë e kanë interpretuar si të drejtuar ndaj Mbappes, Arbeloa nënvizoi rëndësinë e sakrificës.

“Talenti nuk mjafton. Dua të shoh lojtarë që e kuptojnë rëndësinë e përkushtimit dhe që mishërojnë vlerat e Real Madridit. Ky klub nuk është ndërtuar nga lojtarë me kostume elegante në fushë, por nga ata që e përfundojnë ndeshjen me fanella të mbuluara me djersë, baltë dhe sakrificë. Kur talenti bashkohet me përkushtimin dhe përpjekjen, atëherë bëhemi skuadra më e mirë në botë”, përfundoi trajneri Arbeloa.

Sipas raportimeve të Cadena COPE, këto deklarata nuk kanë kaluar pa u vënë re, ndërsa brenda klubit ekziston një farë zhgënjimi për aftësitë udhëheqëse të Mbappes.

26-vjeçari u transferua për të qenë figura kryesore e Real Madridit në vitet e ardhshme, në synimin për të vazhduar dominimin në arenën evropiane, por pritshmëritë ndaj tij mbeten shumë të larta. /Telegrafi/