Trajneri dhe analisti italian Giovanni Augimeri ka bërë një krahasim mes Edon Zhegrovës dhe Francisco Conceicaos, dy anësorëve të Juventusit që kanë lënë gjurmë në ndeshjet e fundit të skuadrës në kampionat.
Duke folur në Radio Bianconera, gjatë emisionit Cose di Calcio, Augimeri vlerësoi cilësitë individuale të të dy futbollistëve, duke theksuar se të dy janë lojtarë që mund të krijojnë epërsi në situatat një-me-një.
“Ata janë sigurisht dy lojtarë sipërmarrës në situata një-me-një, me cilësi, kreativitet dhe driblim”, tha Augimeri.
Megjithatë, sa i përket cilësisë së lojës, zgjedhjeve dhe mënyrës se si e interpretojnë lojën, italiani tha se personalisht preferon më shumë Zhegrovën.
“Conceicao ndoshta ka më shumë energji për të zgjatur më shumë, pra për të luajtur 60 minuta, ndërsa ndoshta Zhegrova është më shumë një lojtar për 30 minutat e fundit, ndoshta për shkak të kohëzgjatjes së ndeshjes. Sa i përket cilësisë së lojës, zgjedhjeve dhe ideve, mua personalisht më pëlqen më shumë Zhegrova, sepse mendoj se ai ka një ritëm më të mirë loje”, u shpreh ai.
Augimeri theksoi se Conceicao ka një profil tjetër fizik dhe një “motor” ndryshe, gjë që i mundëson të krijojë probleme për kundërshtarët në aspekte të tjera të lojës.
Në fund, ai vlerësoi faktin se Juventusi ka në dispozicion dy anësorë me karakteristika të ndryshme, të cilët mund ta vënë në vështirësi vazhdimisht mbrojtësin e krahut kundërshtar.
“Conceicao ndoshta ka një ritëm të ndryshëm, një motor të ndryshëm, kështu që ai mund të shkaktojë probleme në fusha të tjera. Le të themi se janë dy anësorë që, gjatë lojës, së pari takohen me njërin, pastaj takohen me tjetrin, me siguri do të shkaktojnë probleme për mbrojtësin e krahut”, përfundoi Augimeri./Telegrafi/






