Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se është mbyllur Konsullata e Përgjithshme në Strugë, ndërkaq të gjitha shërbimet konsullore do të përqendrohen në Ambasadën në Shkup.
Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut tutje bën të ditur se vendimi bazohet në vlerësimin e dinamikës së këtij misioni konsullor dhe është në funksion të optimizimit të resurseve, në përputhje me qëllimet dhe nevojat e gjithmbarshme institucionale.
Në bazë të Dekretit Nr.150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit përcjellës Nr.Ref 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftojmë se është mbyllur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Vendimi bazohet në vlerësimin e dinamikës së këtij misioni konsullor dhe është në funksion të optimizimit të resurseve, në përputhje me qëllimet dhe nevojat e gjithëmbarshme institucionale.
Në Strugë do të vijoj prezenca me zyre e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i ngarkuar me rreth konsullor pikërisht në këtë qytet.
Ambasada jonë në Shkup – krahas detyrave diplomatike – do të vijojë ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit tanë për tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/






