Studentët kanë mbajtur këtë të martë protestën e thirrur përpara Ministrisë së Arsimit.
Tensionet nuk kanë munguar, me protestuesit menjëherë sapo ka nisur tubimi kanë gjuajtur me vezë dhe të ngjyrosën me sprej muret e godinës.
Më pas ata kanë shkulur kangjellat e hekurta që ndodheshin në trotuar dhe tullat, duke i hedhur në drejtim të godinës dhe thyer xhamat e dritareve.
Më pas ata u futën brenda rrethimit të godinës, teksa kanë bërë thirrje “Digje, digje”…
Pas kësaj, ata tentuan të shqyenin derën e hekurtit dhe të futeshin brenda në godinë, ndërkohë kanë hedhur edhe flakadanë, raporton Top Channel.
Policia ka ndërhyrë duke krijuar një kordon, e më pas ka përdorur shkopa gome dhe ka shoqëruar protestuesit, teksa situata tensionohet herë pas here.
Po ashtu autoboti i ujit ka ndërhyrë me presion uji, teksa edhe një protestuese ka mbetur e lënduar pasi ishte e gjakosur në kokë, po ashtu raportohet edhe për të tjerë të lënduar.
Të rinjtë kanë bërë thirrje për të mos u dorëzuar gjatë protestës. Pasi policia i shpërndau me presion uji, protestuesit u shpërndanë, por u rigrumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit.
Tensionet vijojnë ende mes policisë dhe protestuesve, ku në gatishmëri janë forca të shumta policie dhe autobotë.






