Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës ta udhëheqin përpjekjen për kundërshtimin e vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përmes një strategjie të qartë shtetërore, duke shfrytëzuar ekspertizën ligjore dhe diplomacinë, pa rrezikuar partneritetet ndërkombëtare.
Në një reagim publik, Fetoshi ka vlerësuar se kundërshtimi i vendimit nuk duhet të mbështetet në përshkallëzimin e tensioneve, polarizimin politik apo përplasjet me partnerët strategjikë, por në një qasje të koordinuar institucionale për procesin e Apelit.
Sipas tij, Kosova duhet t’i lërë pas reagimet emocionale dhe të përqendrohet në mobilizimin e ekspertizës juridike, burimeve shtetërore dhe diplomacisë, me synimin për të mbrojtur qëndrimin e saj në arenën ndërkombëtare.
Fetoshi ka propozuar krijimin e një task-force që do të koordinonte angazhimin e ekspertëve, resurset dhe përpjekjet diplomatike në funksion të kësaj beteje.
“Pas konsolidimit të institucioneve, revolta, pezmi dhe akuzat duhet t’ia lënë vendin strategjisë, ndërsa shteti duhet ta udhëheqë betejën për drejtësi. Një task forcë që mobilizon resurse pa limit, ekspertizë dhe lobim, për ta mbrojtur të vërtetën kundrejt makinacioneve serbo-ruse”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se kjo qasje duhet të fuqizojë diplomacinë, të kundërshtojë, siç i ka cilësuar, fabrikimet jashtë vendit dhe të ndihmojë në uljen e tensioneve brenda Kosovës.
Duke folur për debatet që kanë pasuar vendimin e Hagës, Fetoshi ka thënë se Kosova po kalon një sfidë të pjekurisë demokratike, ku debati publik është i nevojshëm, por nuk duhet të shndërrohet në fushata linçuese apo përndjekje për shkak të mendimit.
Ai ka bërë dallimin mes respektimit të sakrificës së veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe përdorimit të kësaj sakrifice për të justifikuar veprime që mund të dëmtojnë institucionet ose debatin demokratik.
“Por, edhe për atdhetarët – veteranë, invalidë e familje të dëshmorëve – sakrifica dhe heroizmi nuk janë ‘kompetenca’ për ta dëmtuar atë”, ka shkruar Fetoshi, duke shtuar se debati, edhe kur është i ashpër, i shërben demokracisë, ndryshe nga retorika nxitëse dhe fushatat linçuese.
Fetoshi: Reagimeve të BE-së duhet t’u përgjigjemi me argumente
Drejtori i Institutit “Octopus” është ndalur edhe te debatet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ato duhet të shërbejnë për të qartësuar hapat e ardhshëm dhe përgjegjësitë e shtetit në procesin e Apelit.
Ai ka theksuar se këto ndryshime nuk duhet të interpretohen si qëndrim kundër drejtësisë, por duhet të trajtohen në funksion të përpjekjeve për të kundërshtuar atë që ai e konsideron padrejtësi në këtë proces.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve evropianë ndaj ligjit, Fetoshi ka vlerësuar se përgjigjja e Kosovës duhet të jetë politike, e argumentuar dhe profesionale, pa u udhëhequr nga mllefi apo inati.
“Reagimet e BE-së e të partnerëve europianë kundër ligjit janë politike, prandaj kërkojnë përgjigje politike. Me seriozitet dhe argumentim, jo mllef e inat”, ka shkruar ai.
Sipas Fetoshit, mospajtimi me Bashkimin Evropian nuk nënkupton domosdoshmërisht shkelje të marrëveshjeve, por mungesa e komunikimit mund t’i thellojë mosmarrëveshjet dhe të rrezikojë raportet me partnerët.
Për këtë arsye, ai ka kërkuar që shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë të adresohen me maturi dhe profesionalizëm, duke ruajtur partneritetet strategjike të Kosovës.
“Qasja jonë duhet të ndërtohet mbi vendosmërinë e vogëlsisë tonë, jo mbi premisa folklorike e patetike”, ka përfunduar Fetoshi.
Ai ka ritheksuar se përballja me vendimin e Dhomave të Specializuara kërkon angazhim të koordinuar shtetëror, vendosmëri institucionale dhe diplomaci, ndërsa procesi i Apelit duhet të jetë në qendër të përpjekjeve të ardhshme të Kosovës./Telegrafi.






