Kolumbia e nisi me fitore aventurën e saj në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Uzbekistanin me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë të Grupit K, të zhvilluar në Mexico City.
Protagonisti kryesor i mbrëmjes ishte Luis Diaz, i cili kontribuoi me një asistim dhe një gol, duke udhëhequr kolumbianët drejt tre pikëve të para.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe me disa ndërhyrje të ashpra, ndërsa rasti i parë serioz i takimit erdhi në minutën e 17-të, kur Arias provoi nga distanca. Luis Diaz ishte pranë golit në minutën e 32-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Epërsia e Kolumbisë erdhi në minutën e 41-të. Ylli i Bayernit dërgoi një top të shkëlqyer në zonë dhe Daniel Munoz u gjend në vendin e duhur për të shënuar për 1-0.
Në fillim të pjesës së dytë, trajneri i Uzbekistanit, Fabio Cannavaro, reagoi me dy zëvendësime dhe ato dhanë efekt. Pas një pritjeje të Vargas ndaj goditjes së Shomurodovit, topi përfundoi te Abbosbek Fayzulayev, i cili shënoi për 1-1 në minutën e 60-të, duke ndezur festën e tifozëve uzbekë.
Megjithatë, gëzimi i debutuesve në Kupën e Botës zgjati vetëm gjashtë minuta. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Kevin Castano gjeti Luis Diazin në krahun e majtë dhe sulmuesi kolumbian realizoi me një goditje të saktë për 2-1.
Uzbekistani tentoi të rikthehej edhe një herë në lojë, por Kolumbia administroi mirë rezultatin. Në minutën e nëntë të kohës shtesë, Jaminton Campaz vulosi fitoren me një gol me kokë për rezultatin përfundimtar 3-1.
Kështu, Kolumbia e nis me fitore rrugëtimin në Botërorin 2026, ndërsa Uzbekistani, që po merr pjesë për herë të parë në këtë kompeticion nën drejtimin e Fabio Cannavaros, la përshtypje pozitive pavarësisht humbjes. /Telegrafi/






