Si negociatori kryesor i Iranit, kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf do ta udhëheqë vendin në fazën delikate të ardhshme të bisedimeve me SHBA-në, pas muajsh lufte.
Iraniani 64-vjeçar është shfaqur si një nga figurat më të larta civile të Iranit pas valës së vrasjeve të kryera nga SHBA-ja dhe Izraeli, që synuan liderë të lartë iranianë, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei dhe Ali Larijani, i cili para vdekjes ishte një nga arkitektët kryesorë të strategjisë ushtarake dhe diplomatike të Iranit.
Ndërsa Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC) rriti fuqinë e tij pas sulmeve amerikano-izraelite, ish-komandanti i forcave ajrore të Gardës Revolucionare, Ghalibaf, një konservator pragmatik, u ngrit bashkë me të.
Tani ai ulet në tryezën e negociatave me liderët amerikanë që urdhëruan vrasjen e bashkëpunëtorëve të tij.

“Kur fillimisht u caktua të merrte pjesë drejtpërdrejt në negociatat në Islamabad, dukej se arsyeja kishte më shumë të bënte me faktin se SHBA-ja kishte nevojë për dikë më të lartë në rang se ministri i Jashtëm, në mënyrë që të justifikonte dërgimin e Vancet, në një kohë kur besueshmëria e (Jared) Kushnerit dhe (Steve) Witkoffit me negociatorët iranianë ishte jashtëzakonisht e kufizuar”, tha për CNN, Ali Ahmadi, studiues në Qendrën e Gjenevës për Politikat e Sigurisë dhe Institutin e Lindjes së Mesme në Zvicër.
Ghalibaf u takua me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance në Islamabad në prill – takimi më i nivelit të lartë ballë për ballë mes zyrtarëve iranianë dhe amerikanë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
“Gjatë asaj periudhe, zhvilluam tre raunde negociatash trepalëshe, ballë për ballë, në prani të ndërmjetësuesve”, tha Ghalibaf në një intervistë për transmetuesin shtetëror iranian IRIB të mërkurën.
Megjithatë, besimi mes palëve ishte shumë i ulët.
“Në Islamabad i thashë drejtpërdrejt zotit Vance: ‘Ne hymë në këto negociata me mosbesim të plotë ndaj jush’”, deklaroi ai.
Tani Ghalibaf duhet të përballet me disa detyra të vështira. Ai duhet t’ua shesë marrëveshjen me SHBA-në fraksioneve më radikale të Gardës Revolucionare, të cilat vazhdojnë të jenë skeptike ndaj një marrëveshjeje me Uashingtonin, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të ketë mbështetjen e reformistëve, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi.
“Ai ka shumë besueshmëri në sistemin politik iranian dhe është shfaqur si një zë që mbështet diplomacinë”, tha Ahmadi.
“Por ai gëzon më shumë besim te konservatorët sesa te figurat reformiste si Pezeshkian dhe Araghchi”, shtoi ai. /Telegrafi/





