Vetëm pak muaj pas largimit nga Ferizaj, trajneri shqiptar, Nevil Dede ka përjetuar një kthesë spektakolare në karrierë, duke e udhëhequr Egnatian drejt titullit në Shqipëri dhe suksesit në Evropë.
Historia e Nevil Dedes në muajt e fundit është një nga ato që tregojnë se në futboll gjithçka mund të ndryshojë brenda pak javësh.
Më 19 prill, Dede u shkarkua nga Ferizaj, në një moment kur skuadra po luftonte për mbijetesë. Pavarësisht vështirësive, ai kishte arritur ta dërgonte ekipin deri në finalen e Kupës së Kosovës, duke lënë pas një aventurë me ulje-ngritje në kampionatin kosovar.
Por, largimi nga Ferizaj nuk ishte fundi. Përkundrazi, ishte vetëm fillimi i një kapitulli të ri dhe shumë të suksesshëm.
Më 31 maj, Dede shpallet kampion i Shqipërisë me Egnatian, duke bërë një paraqitje bindëse në fazën “play-off”.
Egnatia u tregua superiore ndaj Elbasanit, duke mposhtur 4-0, Vllaznisë së Shkodrës, të cilën e mundi 2-1 dhe ndaj Dinamos, që e mposhti 2-0 duke siguruar titullin kampion nën drejtimin e tij.
Dhe suksesi nuk u ndal në Shqipëri. Më 13 gusht, Egnatia e drejtuar nga Dede siguroi kualifikimin në play-off të Ligës së Evropës, duke shkruar një tjetër kapitull historik në arenën ndërkombëtare.
Ky rezultat i garanton klubit shqiptar të paktën pjesëmarrjen në fazën e ligës së Ligës së Konferencës, pavarësisht rezultatit në raundin e ardhshëm.
Në raundin final për një vend në Ligën e Evropës, Egnatia do të ndeshet me Lillestrom, ku fillimisht luan si vendas më 20 gusht dhe pastaj ndeshjen kthyese më 27 gusht.
Nga një trajner i shkarkuar në Kosovë, te kampioni i Shqipërisë dhe tani në prag të një tjetër suksesi evropian. Nevil Dede ka përjetuar një kthesë të jashtëzakonshme dhe po e shkruan historinë me Egnatian. /Telegrafi/






