Kurti kërkon bashkëpunim politik për kundërshtimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ngritur shqetësimin për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Kurti ka thënë se aktgjykimi është “i padrejtë juridikisht e moralisht, dhe i pasaktë historikisht e faktikisht”, duke […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ngritur shqetësimin për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kurti ka thënë se aktgjykimi është “i padrejtë juridikisht e moralisht, dhe i pasaktë historikisht e faktikisht”, duke shprehur pritjen që mangësitë dhe padrejtësitë e pretenduara të adresohen në procedurën e apelit.

“Mbrëmjen e së enjtes së 24 shtatorit u ktheva nga vizita në SHBA. Ishte vizitë e dendur, përplot takime me liderë e zyrtarë të lartë të shteteve mike të vendit tonë, por edhe me drejtues të institucioneve ndërkombëtare dhe me mërgatën tonë të çmuar”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai ka bërë të ditur se në takimet e zhvilluara në SHBA ka diskutuar edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Në secilin takim shpreha shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht e moralisht, dhe i pasaktë historikisht e faktikisht. Presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, tha ai.

Kurti ka treguar se të dielën ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ku kanë diskutuar për veprimet e përbashkëta lidhur me aktgjykimin.

“Jemi takuar ndaras me Bedri Hamzën nga PDK dhe Lumir Abdixhikun nga LDK për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit, por edhe për sfidat që na presin në aspektin institucional, politik e shtetëror”, u shpreh Kurti.

Ai ka vlerësuar edhe deklaratën e miratuar në Kuvendin e Kosovës me 99 vota, duke e cilësuar atë si një hap të parë të përbashkët.

“Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvend është hapi i parë i përbashkët, që më shumë se që krijon efekt juridik është shprehje e vullnetit të popullit përmes të zgjedhurve të tij”, tha Kurti.

Kryeministri ka bërë thirrje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike për këtë çështje, duke theksuar nevojën për bashkërendim me ekipet mbrojtëse.

“Mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar, teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike për këtë çështje të interesit shtetëror, duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse, që të mos gjendemi në situata që vendimet tona do të mund t’i përdornin si rëndesë apo dëm të 4-shes së UÇK-së”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria do të bëjë gjithçka që mundet për të kundërshtuar dhe adresuar aktgjykimin në fazën e apelit.

“Si kryeministër do të bëjmë gjithçka që dimë e mundemi bashkë me kolegët nga Qeveria e jo vetëm për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli e drejt tij”, tha Kurti.

Në fund, Kurti ka folur edhe për rolin e UÇK-së në luftën e viteve 1998-1999.

“UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë të popullit”, u shpreh ai. /Telegrafi/