Kurti i bën ofertë të re PDK-së: Specialja në lexim të dytë, pastaj presidenti

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në përpjekje për të tejkaluar krizën institucionale. Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që fillimisht të votojë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në përpjekje për të tejkaluar krizën institucionale.

Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që fillimisht të votojë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.

“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim profesor Bekim Sejdiun. E unë besoj që në rast të përgjigjes së tyre pozitive, profesor Bekimi do të rikthehej. Përveç tij, natyrisht i kemi edhe dy emra të cilët ne këtë vit i kemi prezantuar si kandidatë për president: Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, e të cilët po ashtu janë aktualë nëse ka interesim nga opozita”, tha ai.

Ai ka propozuar që Kuvendi të mblidhet në një seancë me dy pika të rendit të ditës.

“Pra, le të bëjmë sonte një seancë Kuvendi me dy pika: votimi i projektligjit të dytë për Specialen dhe zgjedhja e presidentit”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, lideri i PDK-së, Bedri Hamza, duhet të japë zotimin se deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në votimin për presidentin.

“Le të dalë dhe të zotohet Hamza se deputetët e LVV-së votojnë njërin nga këto propozime”, ka thënë Kurti.