Daut Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në shesh, e cila ka në fokus kërkesën për miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se kanë mbetur vetëm edhe pak orë në dispozicion për miratimin e këtij ligji, duke u bërë thirrje deputetëve që ta votojnë atë në lexim të dytë.
Haradinaj, përmes një adresimi në rrjetin social Facebook, ka kërkuar nga qytetarët që t’i bashkohen protestës dhe të përcjellin një kërkesë të përbashkët për deputetët e Kuvendit.
“Ju ftoj të gjithëve në shesh që të bashkoheni me thirrjen e vetme për të gjithë deputetët që ta votojnë Ligjin për Specialen në lexim të dytë dhe në rast se shkohet në zgjedhje, për dinjitetin e atyre që kanë luftuar dhe për nderin dhe respektin e luftës tonë dhe për nderin e bashkëluftëtarëve në Hagë, ta kryejmë këtë detyrë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se, sipas tij, ende ka kohë që çështja të përmbyllet, duke e cilësuar miratimin e ligjit si çështje procedurale.
“Nuk është vonë, i kemi edhe katër orë. Mund ta zgjedhim bashkërisht. Është çështje krejt procedurale. T’i kthejmë bashkëluftëtarët tanë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Thirrja e tij vjen në kohën kur në shesh po zhvillohet protesta me kërkesën për miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale./Telegrafi.






