Kuka analizon paraqitjen e xhudistëve në ‘Taranto 2026’: Me performancën aspak i kënaqur

Sport

Kosova e përmbylli garimin në xhudo në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me pesë medalje nga shtatë garues, por përzgjedhësi i Kosovës, Driton Kuka, ka shprehur pakënaqësi me nivelin e paraqitjeve, duke theksuar se potenciali i ekipit ishte më i madh. Kuka ka bërë një analizë të shkurtër të paraqitjes së ekipit kosovar, duke vënë në […]

Madhësia e shkronjave

Kosova e përmbylli garimin në xhudo në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me pesë medalje nga shtatë garues, por përzgjedhësi i Kosovës, Driton Kuka, ka shprehur pakënaqësi me nivelin e paraqitjeve, duke theksuar se potenciali i ekipit ishte më i madh.

Kuka ka bërë një analizë të shkurtër të paraqitjes së ekipit kosovar, duke vënë në pah edhe mungesën e kampiones olimpike, Distria Krasniqi, e cila nuk mori pjesë për shkak të lëndimit.

Sipas Kukës, mungesa e Krasniqit u ndje ndjeshëm në ekip, veçanërisht për shkak të rolit të saj si lidere.

“Mungesa e Kampiones Olimpike, Distria Krasniqi, që është e lënduar, shpërfaqi te ekipi ynë i sportistëve një pasiguri në Taranto. Distria ishte e artë në vitin 2018 dhe e artë edhe në vitin 2022, gara këto në të cilat xhudoja jonë ka fituar edhe katër medalje të tjera të arta”, ka deklaruar Kuka.

Ai ka theksuar se Kosova udhëtoi në Itali me shtatë garues, të gjithë me potencial për të luftuar për medalje, ndonëse Laura Fazliu dhe Akil Gjakova konsideroheshin favoritët kryesorë për medalje të artë.

“Udhëtuam me shtatë garues, secili me potencial për medalje, kriter ky që ne në Federatën e Xhudos nuk e kalojmë dot. Për medalje të arta potencial kishte pothuajse secili, por favoritë ishin Laura dhe Akili për të arta”.

“Janë nivel i lartë, por as afër nivelit të Disit apo, të themi, të Majlindës e Norës në të kaluarën, së paku për ta marrë përgjegjësinë e duhur. Për më tepër, mungoi lideri në ekip”, u shpreh ai.

Kuka ka komentuar veçmas edhe paraqitjet e xhudistëve të tjerë.

Për Fatjona Podvoricën dhe Flaka Loxhën, të cilat siguruan medalje, ai vlerësoi rezultatet, por konsideroi se kishte hapësirë për më shumë.

“Fatjona e Flaka fituan medalje, por kishin hapësirë edhe më shumë”, tha Kuka.

Më kritike ishte analiza për Erza Muminoviqin, nga e cila, sipas Kukës, pritej një rezultat më i madh.

“Realisht nga Erza pritej medalje e ndoshta edhe finale, por ajo na befasoi me luftëra konfuze, pa asnjë strategji drejt fitores. Përfundoi e pesta”, deklaroi ai.

Kuka vlerësoi ndërkohë paraqitjen e Shpat Zekajt në kategorinë deri në 100 kilogramë, duke e cilësuar medaljen e tij si të rëndësishme dhe rikthimin e tij si një element pozitiv për ekipin.

“Shpati, në kategorinë 100 kilogramë, luftoi mirë. Është medalje me vlerë dhe rikthimi i tij realisht ka vlerë për ne si ekip”, u shpreh përzgjedhësi.

Ai foli edhe për Dardan Cena, i cili garoi në kategorinë deri në 81 kilogramë, ndonëse kjo nuk është kategoria e tij natyrore.

“Dardani luftoi në 81 kilogramë, që nuk është kategori e tij, pasi 73 kilogramë ishte Akili. Në kategorinë e re luftoi mirë dhe ishte afër medaljes. Shënoi tri fitore, por nuk mjaftuan për medalje, pasi pësoi dy humbje”, tha Kuka.

Në fund, përzgjedhësi i Kosovës bëri një përmbledhje të rezultateve të ekipit, duke ndarë qartë kënaqësinë për numrin e medaljeve nga pakënaqësia me performancën e përgjithshme.

“Me numrin e medaljeve patjetër i kënaqur – shtatë garues, pesë medalje dhe dy plasmanë në vendin e pestë. Me performancën aspak i kënaqur, marrë parasysh potencialin e garuesve. Kjo kërkon analizë të thellë për secilin veç e veç”, përfundoi Driton Kuka.

Paraqitja në Taranto kështu solli një bilanc pozitiv në aspektin e medaljeve, por deklarata e Kukës tregon se në kampin e xhudos kosovare tashmë pritet një analizë e detajuar për të identifikuar arsyet pse potenciali i disa prej garuesve nuk u përkthye në rezultate më të larta. /Telegrafi/