100 milionë euro nuk janë më një shifër e rezervuar vetëm për rekordet më të mëdha të futbollit. Gjatë afatit kalimtar veror të vitit 2026, plot pesë futbollistë kanë kaluar këtë prag, ndërsa dy të tjerë mund ta arrijnë atë përmes bonuseve dhe variablave.
Lista kryesohet nga emra si Bradley Barcola, Enzo Fernandez, Morgan Rogers, Elliot Anderson dhe Yan Diomande, duke dëshmuar edhe një herë se vlera e transferimeve në futbollin elitar po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme.
Një nga precedentët e parë të kësaj shifre lidhet me Gareth Bale, i cili në vitin 2013 u transferua nga Tottenham te Real Madridi.
Fillimisht, klubi spanjoll raportoi një shumë prej 91 milionë eurosh, por më vonë u bë e ditur se kostoja reale e operacionit ishte rreth 100 milionë euro, duke e kthyer uellsianin në futbollistin e parë që kaloi këtë barrierë.
Bale hapi rrugën, Pogba e ngriti standardin
Tre vite më vonë, Paul Pogba e ngriti edhe më tej nivelin. Manchester United pagoi rreth 105 milionë euro për ta rikthyer francezin nga Juventusi në vitin 2016, në një transferim që konfirmoi se operacionet me nëntë shifra do të bëheshin pjesë e zakonshme e afatit kalimtat të futbollit.
Që atëherë, transferimet mbi 100 milionë euro janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, veçanërisht në Ligën Premier, ku klubet angleze vazhdojnë të dominojnë financiarisht tregun.
Vetëm gjatë verës së vitit 2026, klubet e Ligës Premier kanë shpenzuar rreth 4.1 miliardë euro për përforcime.
Një nga emrat e fundit që iu bashkua klubit të transferimeve mbi 100 milionë euro është Bradley Barcola.
Sulmuesi francez 23-vjeçar u largua nga Paris Saint-Germain për t’iu bashkuar Liverpoolit në një operacion që, sipas EFE, arriti në 140 milionë euro.
Burime të tjera e vlerësojnë marrëveshjen në 125 milionë euro fikse, plus 20 milionë euro bonuse.
PSG kishte paguar vetëm 45 milionë euro për Barcolan kur e transferoi nga Olympique Lyon në vitin 2023. Vetëm tri sezone më vonë, largimi i tij u shndërrua në shitjen më të shtrenjtë në historinë e klubit francez.
Enzo Fernandez dhe shkalla e re e Ligës Premier
Enzo Fernandez është një tjetër emër që këtë verë kaloi barrierën e 100 milionë eurove.
Mesfushori argjentinas 25-vjeçar u largua nga Chelsea për t’iu bashkuar Manchester Cityt, me marrëveshjen që arriti në 145 milionë euro.
Kjo shifër e barazon transferimin e tij me atë të Alexander Isak si operacioni më i shtrenjtë në historinë e Ligës Premier.
Manchester City nuk u ndal me kaq. Kampionët anglezë paguan 135 milionë euro për Elliot Anderson, i cili u transferua nga Nottingham Forest. Mesfushori anglez 23-vjeçar u shndërrua kështu në një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e klubit.
Një tjetër transferim spektakolar ishte ai i Morgan Rogers.
Chelsea pagoi 138 milionë euro për ta marrë sulmuesin 23-vjeçar nga Aston Villa, duke e kthyer atë në transferimin më të shtrenjtë në historinë e klubit londinez në atë moment.
Rogers vjen pas një sezoni shumë të mirë me Aston Villan, ku regjistroi 14 gola dhe 11 asistime.
Yan Diomande, përjashtimi nga dominimi anglez
Yan Diomande është rasti kryesor që thyen dominimin e Ligës Premier në listën e transferimeve mbi 100 milionë euro.
Anësori nga Bregu i Fildishtë, vetëm 19 vjeç, u transferua te Real Madridi nga RB Leipzig për 125 milionë euro, me shumën që mund të rritet edhe më tej përmes bonuseve.
Transferimi tregon edhe një herë gatishmërinë e klubit madrilen për të investuar shuma të mëdha te talentet që konsiderohen si yje të së ardhmes.
Dy transferime të tjera mund të arrijnë 100 milionë euro
Lista nuk përfundon me pesë transferimet që tashmë kanë kaluar këtë prag.
Sandro Tonali u transferua nga Newcastle te Tottenham në një marrëveshje që mund të arrijë në 100 milionë funte, me 92.5 milionë funte si shumë fillestare.
Ndërkohë, Ayyoub Bouaddi iu bashkua Manchester Cityt për 95 milionë euro, me 5 milionë të tjera në formën e bonuseve, çka mund ta çojë vlerën totale të operacionit në 100 milionë euro.
Tregu i transferimeve mbi 100 milionë euro tashmë nuk është më një fenomen që shfaqet vetëm një herë në disa vite. Vera e vitit 2026 e ka konfirmuar këtë trend, me Barcolan, Enzo Fernandez, Rogers, Anderson dhe Diomande që kanë kaluar kufirin e nëntë shifrave.
Dhe me klubet e mëdha që vazhdojnë të investojnë shuma marramendëse, duket se pyetja nuk është më nëse do të shohim transferime mbi 100 milionë euro, por kur do të thyhet rekordi i radhës. /Telegrafi/






