Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka deklaruar se është anëtar i Partisë Progresive Serbe (SNS), të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa ka thënë se nuk është më deputet në Kuvendin e Kosovës.
Deklaratat i bëri gjatë një debati parazgjedhor në televizionin Nova, duke rikthyer në vëmendje lidhjet e ngushta politike ndërmjet Listës Serbe dhe pushtetit në Beograd.

“Unë nuk jam më deputet në parlamentin e Kosovës”, tha Elek, duke konfirmuar se është anëtar i SNS-së, partisë së drejtuar nga Vuçiqi.
Deklarimi i Elekut është një dëshmi e drejtpërdrejtë e lidhjeve partiake me SNS-në, ndërsa raportet ndërmjet Listës Serbe dhe Beogradit kanë qenë prej vitesh pjesë e debatit politik në Kosovë. Raporte për zhvillimet politike në vend e përshkruajnë Listën Serbe si subjekt me lidhje të ngushta me pushtetin serb, mbështetja e të cilit ka ndikuar në pozitën dominuese të kësaj partie në përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës.
Veprimet e Listës Serbe në raport me institucionet e Kosovës kanë ngritur vazhdimisht pikëpyetje për autonominë e saj politike. Në nëntor të vitit 2022, përfaqësuesit serbë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës, përfshirë Kuvendin, Qeverinë, policinë dhe gjyqësorin. Më pas, Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet lokale në veri në prill të vitit 2023, duke kontribuar në vazhdimin e krizës institucionale në atë pjesë të vendit.
Edhe bojkoti i referendumit të prillit 2024 për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore ishte një tjetër zhvillim që ndikoi në funksionimin e institucioneve lokale. Këto veprime janë trajtuar edhe në raportet dhe analizat ndërkombëtare për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst, deklarata e Elekut për anëtarësimin në SNS e bën edhe më të dukshme afërsinë partiake ndërmjet udhëheqjes së Listës Serbe dhe partisë së Vuçiqit.





