Papa Leoni XIV do t’i nënshtrohet operacionit për heqjen e një noduli në mushkëri

Bota

Papa Leoni XIV ka njoftuar se në ditët në vijim do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një noduli në mushkëri, i cili u zbulua gjatë kontrolleve të fundit mjekësore. Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në Sheshin e Shën Pjetrit, 71-vjeçari bëri të ditur se mjekët kanë vlerësuar se ndërhyrja kirurgjikale është […]

Madhësia e shkronjave

Papa Leoni XIV ka njoftuar se në ditët në vijim do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një noduli në mushkëri, i cili u zbulua gjatë kontrolleve të fundit mjekësore.

Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në Sheshin e Shën Pjetrit, 71-vjeçari bëri të ditur se mjekët kanë vlerësuar se ndërhyrja kirurgjikale është zgjidhja më e përshtatshme.

“U zbulua në një fazë shumë të hershme dhe është i lokalizuar mirë”, deklaroi Papa, duke shtuar se kishte vendosur t’i nënshtrohej operacionit për ta hequr, transmeton Telegrafi.

Sipas raportimeve, ndërhyrja pritet të kryhet në Spitalin Universitar Gemelli në Romë. Zyra e shtypit e Vatikanit u ka bërë të ditur gazetarëve se operacioni është planifikuar për fillim të javës, ndërsa periudha e pritshme e rikuperimit është rreth një javë.

Leoni XIV, i lindur në Çikago, u zgjodh Papë në vitin 2025, pas vdekjes së paraardhësit të tij, Papa Françeskut.

Sipas Shoqatës Amerikane të Mushkërive, një nodul pulmonar është një masë e vogël indi të dendur në mushkëri, e cila mund të zbulohet përmes radiografisë së kraharorit ose skanimit me tomografi të kompjuterizuar (CT).

Shumica e nodulëve në mushkëri janë beninjë, por disa mund të jenë kancerogjenë. Në rastet kur pamja e nodulit ngre dyshime për malinjitet ose kur historia mjekësore e pacientit tregon rrezik më të lartë, mjekët mund të kërkojnë ekzaminime të tjera, përfshirë skanime imazherike dhe biopsi.

Vatikani nuk ka bërë të ditura hollësi të tjera rreth natyrës së nodulit të Papës. Deri më tani, nuk është raportuar se ai është diagnostikuar me kancer.