“Kosova si mjet mobilizimi” – Biserko për politikën e Vuçiqit dhe Serbinë pas tij

Bota

Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, nuk pret që një ndryshim i pushtetit në Beograd të sjellë shpejt ndryshime në qëndrimin e Serbisë ndaj statusit të Kosovës. Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Biserko tha se edhe në rast të largimit të Aleksandar Vuçiqit nga pushteti, […]

Madhësia e shkronjave

Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, nuk pret që një ndryshim i pushtetit në Beograd të sjellë shpejt ndryshime në qëndrimin e Serbisë ndaj statusit të Kosovës.

Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Biserko tha se edhe në rast të largimit të Aleksandar Vuçiqit nga pushteti, Kosova mund të vazhdojë të përdoret për mobilizim emocional në Serbi.

“Është e sigurt se, në situata të ndryshme krize, secili do të përpiqet ta përdorë Kosovën për mobilizim emocional, për të mbledhur njerëz rreth vetes. Mendoj se, në thelb, nuk do të ketë ndryshime sa i përket statusit të Kosovës. Kjo përjashtohet”, tha Biserko.

Megjithatë, ajo vlerëson se ndryshime mund të ketë në mënyrën se si Beogradi e ushtron ndikimin mbi komunitetin serb në Kosovë, veçanërisht në aspektin politik dhe institucional.

Sipas saj, një ndryshim pushteti në Serbi mund të vinte në pikëpyetje infrastrukturën politike të ndërtuar gjatë viteve të qeverisjes së Vuçiqit, përfshirë rolin e Listës Serbe.

Biserko thekson se një qeveri e re në Beograd mund të krijojë mundësi për një qasje më realiste ndaj serbëve të Kosovës.

“Për serbët e Kosovës do të ishte e rëndësishme që një pushtet i ri në Serbi të kishte një qasje realiste ndaj tyre, t’i ndihmonte ta forconin pozitën e tyre në Kosovë dhe t’i orientonte drejt dialogut me Prishtinën. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta”, deklaroi ajo.

Biserko paralajmëroi se Serbia mund të hyjë në një periudhë të gjatë pasigurie politike, pas 14 vjetësh të Vuçiqit në pushtet dhe protestave të vazhdueshme kundër tij.

“Vetë Serbia do të kalojë nëpër një fazë, gjatë së cilës duhet t’ia shtrojë vetes disa pyetje thelbësore dhe t’u japë përgjigje. Para së gjithash: ku janë kufijtë tanë, cili është identiteti ynë dhe ku përkasim? Në kuadër të gjithë kësaj, do të formësohet edhe raporti ndaj Kosovës”, tha Biserko.

Ajo shtoi se ky proces nuk pritet të jetë i shpejtë.

“Serbia po hyn në një fazë shumë të trazuar, që do të zgjasë me vite”, u shpreh Biserko.