Konjufca letër Kallasit: Jemi të shqetësuar për reagimin e kufizuar të BE-së, pas deklaratave të Paunoviqit

Nacionale

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar një reagim më të ashpër të BE-së ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend […]

Madhësia e shkronjave

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar një reagim më të ashpër të BE-së ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Në letrën e tij, Konjufca e cilëson deklaratën si një “lavdërim të qëllimshëm të krimeve të luftës”, nxitje të urrejtjes dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, retorika e një ministreje në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme, pasi intervista e saj ishte, siç tha ai, e mbushur me përmbajtje revizioniste dhe armiqësore që dëmton dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Konjufca shprehu gjithashtu pakënaqësi me reagimin fillestar të Bashkimit Evropian, duke thënë se ai ishte i vonuar dhe i kufizuar.

“Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik”, thuhet në letër.

Në dokumentin dërguar Kallasit, ministri i Jashtëm në detyrë kërkon që BE-ja:

të dënojë publikisht dhe qartë deklaratën e ministres Paunoviq; t’ua rikujtojë autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papajtueshme me vlerat evropiane dhe procesin e anëtarësimit; ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik me Serbinë dhe në procesin e integrimit evropian.

Konjufca i ka kërkuar gjithashtu Kallasit një takim ose bisedë telefonike sa më parë për të diskutuar këtë çështje.

Në fund të letrës, ai rithekson se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, duke theksuar se spastrimi etnik dhe ndëshkimi kolektiv janë të papranueshme në çdo formë.