Klubi me më së shumti lojtarë në finalen e Kupës së Botës

Sport

Atletico Madridi do të jetë klubi me më së shumti futbollistë në finalen e Kupës së Botës 2026, duke vendosur një tjetër rekord të rëndësishëm në historinë e tij. Finalja e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës do të ketë plot 10 lojtarë të Atleticos, duke e bërë klubin madrilen ekipin më të përfaqësuar në […]

Madhësia e shkronjave

Atletico Madridi do të jetë klubi me më së shumti futbollistë në finalen e Kupës së Botës 2026, duke vendosur një tjetër rekord të rëndësishëm në historinë e tij.

Finalja e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës do të ketë plot 10 lojtarë të Atleticos, duke e bërë klubin madrilen ekipin më të përfaqësuar në ndeshjen për titullin e kampionit të botës.

Për Spanjën do të jenë të pranishëm Marcos Llorente, Alex Baena, Marc Pubill dhe Alejandro Grimaldo, ndërsa fanellën e Argjentinës e mbajnë Juan Musso, Nahuel Molina, Julian Alvarez, Giuliano Simeone, Thiago Almada dhe Nico Gonzalez.

Ky është një sukses që Atletico e arrin për herën e tretë radhazi, pasi edhe në finalet e Kupës së Botës 2018 dhe 2022 ishte klubi me numrin më të madh të futbollistëve në ndeshjen finale, me nga katër lojtarë në secilin edicion.

Klubi madrilen e festoi këtë arritje edhe në rrjetet sociale, duke shkruar: “Atlético do të jetë, për të tretin Kampionat Botëror radhazi, klubi me më së shumti lojtarë në finale. Për më tepër, do të regjistrojmë përfaqësimin më të madh të një klubi në një finale të Kupës së Botës që nga Italia e vitit 1934 dhe praninë më të madhe të një klubi spanjoll në ndeshjen për titull në gjithë historinë e turneut”.

Ky është një tjetër konfirmim i rolit të rëndësishëm që Atletico Madridi ka në futbollin ndërkombëtar, pasi një numër kaq i madh futbollistësh në finalen e Kupës së Botës dëshmon cilësinë dhe ndikimin që skuadra e Diego Simeones ka pasur në vitet e fundit.

Në finalen e së dielës, pavarësisht se trofeu do të ndahet mes Spanjës dhe Argjentinës, një fitues i sigurt tashmë është Atletico Madridi, që do të ketë një përfaqësim historik në ndeshjen më të madhe të futbollit botëror./Telegrafi/