Mbrojtësi i Arsenalit, Riccardo Calafiori, beson se klubi duhet të transferojë futbollistë të nivelit të Vinicius Junior dhe Bruno Guimaraes nëse dëshiron ta mbrojë titullin e Ligës Premier.
“Topçinjtë” fituan kampionatin anglez sezonin e kaluar për herë të parë që nga edicioni 2003/04, duke lënë pas Manchester Cityn në një garë të fortë që u vendos vetëm në javën e fundit.
Skuadra e Mikel Artetas arriti gjithashtu në finalen e Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Ligës, ku u mposht nga Paris Saint-Germaini dhe Manchester City, ndërsa në FA Cup u eliminua në çerekfinale nga Southamptoni.

Arteta ka deklaruar vazhdimisht se synon të ndërtojë një “dinasti” te Arsenali dhe objektivat e klubit në afatin kalimtar pasqyrojnë këtë ambicie.
Arsenali raportohet se është pranë transferimit të kapitenit të Newcastle United, Bruno Guimaraes, për rreth 75 milionë funte, ndërsa vazhdojnë spekulimet edhe për një interesim ndaj yllit të Real Madridit, Vinicius Junior.
Edhe pse raportimet e fundit bëjnë të ditur se braziliani është pranë rinovimit të kontratës me Real Madridin, Calafiori beson se Arsenali duhet të synojë futbollistë të këtij niveli.
“Ne jemi në atë nivel tani”, tha Calafiori kur u pyet nëse lidhjet me Bruno Guimaraes dhe Vinicius Junior tregojnë se ku ndodhet Arsenali si klub.
“Ne jemi në krye dhe duam ta fitojmë përsëri Ligën Premier.”
“Duam të jemi edhe më të mirë se sezonin e kaluar, nëse është e mundur. Prandaj, mendoj se kemi nevojë për lojtarë të këtij niveli”./Telegrafi/





