Anthony Joshua ka ndezur atmosferën para përballjes së shumëpritur me Kristian Prengën, duke lëshuar deklarata të fuqishme në konferencën për shtyp dhe duke treguar se nuk ka ndërmend të nënvlerësojë kundërshtarin shqiptar.
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda reagoi ashpër ndaj komenteve që kanë qarkulluar para meçit, duke theksuar se fokusi i tij është vetëm fitorja.
“Ata thjesht po gërmojnë një varr, duke gërmuar gjithnjë e më thellë”, deklaroi fillimisht Joshua, duke lënë të kuptohet se çdo provokim do të marrë përgjigjen e tij brenda ringut.
Boksieri britanik insistoi se ky duel nuk ka të bëjë me kundërshtarin, por me misionin e tij për të dëshmuar edhe një herë dominimin në kategorinë e peshave të rënda.
“Ky është divizioni im. Unë i përkas këtij vendi. Nuk e bëj këtë si shaka, kjo është ajo në të cilën jam i mirë. Nuk ka të bëjë me të, ka të bëjë me mua”, shtoi britaniku me vetëbesim të plotë.
Megjithatë, 36-vjeçari tregoi respekt për Kristian Prengën, duke e ftuar atë të japë maksimumin në natën e meçit. Joshua zbuloi se ka studiuar me kujdes videot e kundërshtarit shqiptar dhe beson se kjo përballje mund t’i japë mundësinë të shfaqë versionin më të mirë të vetes.
“Dua që ai të japë gjithçka nga vetja. Nuk duhet të më tregojë respekt në ring, sepse as unë nuk do ta bëj. Të gjitha fjalët janë të kota, do ta shohim kur të përballemi”, përfundoi AJ.
Përballja mes Joshuas dhe Prengës pritet me interes të madh nga tifozët e boksit, pasi shqiptari do të ketë mundësinë e artë të sfidojë një nga emrat më të mëdhenj të dekadës së fundit në peshat e rënda.
Nga ana tjetër, Joshua synon të tregojë se vazhdon të jetë një forcë dominuese dhe se rruga drejt majës së boksit botëror kalon ende përmes tij. /Telegrafi/






