Irani thotë se dy cisterna nafte u përfshinë nga flakët pasi goditën mina në ngushticën e Hormuzit

Bota

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se dy cisterna nafte, secila duke transportuar rreth dy milionë fuçi naftë të papërpunuar, u përfshinë nga flakët pasi goditën mina detare në ngushticën e Hormuzit. Cisternat e para goditi një minë, duke shkaktuar një shpërthim dhe një “zjarr të fuqishëm”, deklaroi IRGC të shtunën, ndërsa […]

Madhësia e shkronjave

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se dy cisterna nafte, secila duke transportuar rreth dy milionë fuçi naftë të papërpunuar, u përfshinë nga flakët pasi goditën mina detare në ngushticën e Hormuzit.

Cisternat e para goditi një minë, duke shkaktuar një shpërthim dhe një “zjarr të fuqishëm”, deklaroi IRGC të shtunën, ndërsa cisterna e dytë goditi një minë që e përfshiu atë “në një zjarr masiv”, raportoi agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA.

Informacione rreth emrave të anijeve apo origjinës së ngarkesës së tyre nuk ishin të disponueshme menjëherë.

IRNA njoftoi se anijet kishin fikur sistemet e tyre të pozicionimit dhe radarët, si dhe ishin përpjekur të përdornin një itinerar të paautorizuar nga Irani, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

IRGC gjithashtu pretendoi se, ndërsa njëra nga cisternat u përpoq të kalonte përmes rrugës ujore “me mbështetjen e SHBA-së”, anija e dytë mbeti e palëvizshme.

Irani mori kontrollin e ngushticës së Hormuzit pasi lufta amerikano-izraelite kundër vendit filloi në fund të shkurtit.

Që atëherë, Teherani ka kërkuar që të gjitha anijet të kërkojnë autorizimin e tij përpara se të kalojnë përmes kësaj zone. Para luftës, rreth një e pesta e konsumit global të naftës kalonte përmes kësaj rruge ujore.

E këtë javë, komandanti detar i IRGC-së, kundëradmirali Ali Azmaei, paralajmëroi se çdo anije që çaktivizon sistemet e saj të lundrimit do të konsiderohet “armiqësore”.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një kundër-bllokadë detare ndaj eksporteve të naftës iraniane.

Të dielën e kaluar, gjashtë anije u sulmuan brenda ose pranë ngushticës së Hormuzit – numri më i lartë në një ditë të vetme që nga fillimi i luftës – sipas firmës së sigurisë “Vanguard”, Organizatës Ndërkombëtare Detare dhe agjencisë detare britanike UKMTO.

Sulmet rreth kësaj rruge ujore janë shtuar gjatë dy javëve të fundit; Irani deklaron se po intensifikon goditjet si përgjigje ndaj bllokadës së porteve të tij nga SHBA-ja dhe sanksioneve më të ashpra të vendosura muajin e kaluar.

Sipas të dhënave nga “Kpler”, më 8 tetor përmes kësaj zone kaluan rreth 20,8 milionë fuçi naftë, ndërsa më 11 tetor kaluan vetëm 2,9 milionë fuçi. Kjo ndërprerje ka çuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe të inflacionit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e ka përjashtuar në mënyrë të qartë përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit.

“Nuk do të përdorja a*** b*********”, tha ai për portalin e lajmeve Newsmax në një intervistë të enjten.

Trump u shpreh gjithashtu se nuk po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Iran.

Komentet