Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka ngritur dyshime për ndikimin e interesave ruse në protestat e fundit në Shqipëri, duke iu referuar një postimi të ideologut rus Aleksandër Dugin, i cili i cilësoi shqiptarët si një komb që “po zgjohet”.
Në një reagim të titulluar “Zgjimi i Aleksandër Duginit”, Fetoshi ka analizuar zhvillimet e fundit në Tiranë nga këndvështrimi gjeopolitik, duke pretenduar se deklaratat e ideologut rus mund të lidhen me interesat e Moskës për të dobësuar orientimin euroatlantik të Shqipërisë.
Fetoshi ka rikujtuar se Dugin, i njohur për idetë e tij neo-euroaziatike dhe kundërshtimin e liberalizmit perëndimor, reagoi në platformën X dy ditë pas publikimit të shkrimit të tij “Tirana në flakë, kujt i shërben?!”.
“Shqiptarët tani po tregojnë ngjyrat e tyre. Ky komb është krijuar nga të krishterët ortodoksë (prifti ortodoks, Fan Noli) dhe Islami i tyre është sufi e mistik. Ata janë indoeuropianë, meqë ra fjala. Njerëz shumë interesantë dhe të guximshëm. Ata tani po zgjohen”, kishte shkruar Dugin.

Sipas Fetoshit, ky reagim nuk duhet parë i shkëputur nga interesat gjeopolitike të Rusisë. Ai pretendon se përshkrimi i protestave si një “zgjim” i shqiptarëve mund të shërbejë për të përhapur narrativa që e largojnë Shqipërinë nga orientimi i saj perëndimor, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Fetoshi ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si Dugin e përshkruan identitetin kombëtar shqiptar, duke argumentuar se historia e kombformimit shqiptar mbështetet në gjuhën, kujtesën historike dhe trashëgiminë kulturore, si dhe në kontributin e elitave me përkatësi të ndryshme fetare.
Ai i është referuar edhe figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke theksuar rolin e tij simbolik në bashkimin e shqiptarëve përtej dallimeve fetare.
Në shkrimin e tij, drejtori i Institutit Octopus ka lidhur këto deklarata me qëndrimet që, sipas tij, përputhen me interesat revizioniste të Rusisë dhe me narrativat serbe për Kosovën.
Fetoshi ka përmendur edhe një memorandum për Kosovën, të cilin ia atribuon qarqeve në Serbi, duke pretenduar se përmbajtja e tij përputhet me qasjen gjeopolitike të Duginit. Ai ka rikujtuar gjithashtu qëndrimet e ndryshme të ideologut rus ndaj protestave në Serbi, të cilat në periudha të ndryshme i ka paraqitur si të nxitura nga Perëndimi apo si shenjë e krizës politike së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Një tjetër element që Fetoshi e ka vënë në pah është deklarata e një studenti organizator të protestave në Shqipëri, i cili, sipas një raportimi të publikuar nga Nacionale më 17 tetor 2026, ka thënë se organizatorët janë në kontakt me kolegë në Serbi për format e organizimit.
Sipas Fetoshit, kjo rrethanë ngre pikëpyetje për ndikimet e mundshme që mund të shoqërojnë protestat. Megjithatë, ai nuk ka paraqitur prova konkrete që do të vërtetonin se Rusia po i organizon apo financon protestat në Shqipëri.
Në fund të reagimit, Fetoshi ka shtruar pyetjen se çfarë lloj “zgjimi” i intereson Moskës dhe pse kjo temë po shfaqet në këtë moment politik. Ai ka argumentuar se shtensionimi i situatës kërkon vendime politike dhe ka përmendur dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si një mundësi për uljen e tensioneve./Telegrafi/





