Johnny Depp ka tërhequr vëmendje në një event në Las Vegas, pas publikimit të një videoje ku aktori shihet duke ngrënë gjethe dekorative gjatë një feste.
63-vjeçari ndodhej në një festë të organizuar në Park MGM pas një eventi të lidhur me markën e tij të rumit, “Three Hearts”, gjatë “Drink Las Vegas”, të shtunën mbrëma.
Aktori, i njohur për rolet në “Pirates of the Caribbean” dhe “Edward Scissorhands”, ishte komplet në një veshje të errët, kapelë, syze dhe disa unaza të mëdha në gishta.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte një moment i pazakontë gjatë pozimit për fotografët.
Depp iu afrua një muri dekorativ të mbuluar me gjelbërim artificial dhe, në mënyrë të papritur, futi fytyrën mes bimëve.
Pak çaste më vonë, u shfaq duke përtypur një gjethe, teksa fotografët vazhdonin të shkrepnin.
Pas pak, Depp e pështyu gjethen, por nuk u ndal me kaq.
Ai u kthye përsëri te dekorimi dhe mori një tjetër gjethe, këtë herë duke pozuar me gotën në dorë.
Pamjet e veçanta kanë tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, duke e kthyer momentin e improvizuar të Depp në një prej episodeve më të komentuar nga eventi.
Johnny Depp Bites Into a Decorative Plant at Vegas Event youtube.com
Ndërkohë, aktori vazhdon të jetë aktiv profesionalisht dhe po punon për rikthimin në ekran pas një periudhe të gjatë të dominuar nga beteja ligjore dhe vëmendja mediatike. /Telegrafi/






