Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë dërguar në spital, pasi një autobus turistik u përmbys pranë Mynihut, në Gjermani.
Autobusi, i cili transportonte rreth 35 turistë, kryesisht me origjinë filipinase, po udhëtonte nga Milano drejt Mynihut për të marrë pjesë në festivalin e famshëm të birrës Oktoberfest.
Sipas policisë lokale, aksidenti ndodhi rreth orës 05:41 të mëngjesit, kur autobusi doli nga rruga dhe u përmbys në një zonë me shkurre pranë Fürstenfeldbruck, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i policisë, Martin Cornils, tha se gjashtë persona u transportuan me helikopterë shpëtimi, ndërsa dy të tjerë u dërguan me ambulanca në spitalet e afërta.
Në total, 19 persona kanë përfunduar në spital, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit. Deri tani nuk është bërë e ditur se çfarë e shkaktoi humbjen e kontrollit të autobusit.
Aksidenti ndodhi vetëm disa javë pas një tjetër tragjedie me autobus turistik në Evropë, ku pesë persona humbën jetën pasi një autobus holandez u aksidentua në Zvicrën lindore. /Telegrafi/






