Sipas raportimeve të mediumit italian La Gazzetta dello Sport, Interi ka nisur punën për përforcimin e repartit defensiv gjatë afatit kalimtar veror dhe ka identifikuar tre objektiva kryesorë: Oumar Solet, Evan Ndicka dhe Jhon Lucumi.
“Neurazzurrët” pritet të bëjnë ndryshime të rëndësishme në mbrojtje, pasi largimi i veteranit Francesco Acerbi duket gjithnjë e më i mundshëm, ndërsa e ardhmja e Stefan de Vrij mbetet ende e paqartë.
Në krye të listës së dëshirave të klubit italian është mbrojtësi i Udinese, Oumar Solet.
Francezi ka impresionuar në mënyrë të jashtëzakonshme në Serie A që nga sezoni i kaluar, duke u shndërruar në një nga mbrojtësit më të spikatur të kampionatit falë forcës fizike, qetësisë me topin dhe sigurisë në duele.
Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane, por Interi duket se po tenton të lëvizë shpejt për ta siguruar transferimin e tij.
Interi kishte monitoruar edhe talentin e Sassuolo, Tarik Muharemovic, por negociatat për këtë marrëveshje kanë ngecur në javët e fundit, duke bërë që drejtuesit zikaltër të fokusohen te alternativa të tjera më të sigurta.
Ndërkohë, edhe Roma mund të ndahet me Evan Ndickan gjatë verës. Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë po shqyrton mundësinë e një aventure të re, ndërsa situata financiare e klubit romak mund të detyrojë drejtuesit të dëgjojnë ofertat.
Një tjetër emër në radarët e Interit është Jhon Lucumi. Kolumbiani ka zhvilluar një sezon shumë të mirë me Bolognan dhe konsiderohet si një profil ideal për stilin e lojës së skuadrës nga Milano.
Drejtuesit e Interit synojnë të ndërtojnë një mbrojtje më të re dhe më dinamike për sezonin e ardhshëm, teksa klubi po përgatitet për ndryshime të rëndësishme në organikë pas një sezoni intensiv në Itali dhe Evropë. /Telegrafi/






