Inteligjenca britanike: Spiunët kinezë financuan më shumë se 100 akademikë

Bota

Shërbimi britanik i sigurisë MI5 publikoi të mërkurën një paralajmërim të rrallë publik për spiunazhin, duke deklaruar se shërbimi kinez i inteligjencës, përmes një kompanie fasadë, ka financuar universitete britanike me qëllim vjedhjen e kërkimeve të rëndësishme teknologjike. MI5 u ka bërë thirrje studiuesve dhe akademikëve të ndërpresin çdo bashkëpunim me Institutin Kinez për Kërkime […]

Madhësia e shkronjave

Shërbimi britanik i sigurisë MI5 publikoi të mërkurën një paralajmërim të rrallë publik për spiunazhin, duke deklaruar se shërbimi kinez i inteligjencës, përmes një kompanie fasadë, ka financuar universitete britanike me qëllim vjedhjen e kërkimeve të rëndësishme teknologjike.

MI5 u ka bërë thirrje studiuesve dhe akademikëve të ndërpresin çdo bashkëpunim me Institutin Kinez për Kërkime të Teknologjisë së Përgjithshme (CGTRI), i njohur edhe si Akademia Kineze për Teknologji të Përgjithshme (CAGT). Shërbimi e konsideron këtë organizatë një “kërcënim të rëndësishëm”.

CGTRI ka financuar më shumë se 100 akademikë në universitetet britanike dhe, në këmbim, ka siguruar qasje në kërkime të cilat, sipas pretendimeve, i janë përcjellë shërbimit kinez të inteligjencës.

Kompani fasadë për shërbimin sekret kinez

MI5 ka konfirmuar se CGTRI është kompani fasadë e agjencisë kineze të inteligjencës, Ministrisë së Sigurisë Shtetërore (MSS), dhe ka paralajmëruar se vazhdimi i bashkëpunimit mund të ndiqet penalisht sipas Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023.

Në shënjestër kanë qenë kërkimet në fushën e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, komunikimeve të fshehta dhe steganografisë – teknikës së fshehjes së të dhënave brenda imazheve digjitale, shkruan The Guardian..

Shërbimi britanik pretendon se ka prova të qarta për përcjelljen e informacioneve sensitive te agjentët kinezë të inteligjencës. The Guardian ka mësuar se disa akademikë britanikë, përveç parave për kërkime, kanë marrë nga pala kineze edhe dekorata dhe nderime të ndryshme.

Për vite me radhë, qeveritë britanike kanë kërkuar të tërheqin investime kineze dhe kanë nxitur bashkëpunimin. Në paralajmërimin e ri, shërbimi britanik i sigurisë thotë:

“MI5 ka përcaktuar se qëllimi kryesor i CGTRI-së është financimi i kërkimeve akademike që përmirësojnë drejtpërdrejt kapacitetet teknike të MSS-së për spiunazh.”

Në dokument thuhet se CGTRI ka “lidhje shumë të forta me MSS-në, shërbimin civil kinez të inteligjencës dhe sigurisë”, shkruan bbc.

“Shumë institucione akademike dhe individë kanë bashkëpunuar deri tani me CGTRI-në në mirëbesim, pasi lidhjet e organizatës me MSS-në kanë qenë të fshehura.

Institucioneve akademike britanike u rekomandohet shprehimisht që menjëherë të rishikojnë çdo bashkëpunim ekzistues ose të planifikuar me CGTRI-në, për të siguruar që MSS-ja të mos përfitojë më nga universitetet apo institutet kërkimore britanike.

Akademikëve u këshillohet gjithashtu që, gjatë çdo bashkëpunimi me institucione kineze, të verifikojnë burimin përfundimtar të financimit, për t’u siguruar se CGTRI nuk është i përfshirë”, thuhet në paralajmërim.

Paralajmërimi tërheq vëmendjen edhe te “pasojat e mundshme penale”, ndërsa kjo pjesë është hartuar në konsultim me Prokurorinë.

“Me këtë paralajmërim për spiunazhin, MI5 ka bërë publike se CGTRI ka lidhje shumë të forta me MSS-në.

Në të ardhmen, institucionet akademike dhe studiuesit duhet të jenë të njohur me Ligjin për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023, veçanërisht me veprat penale të përcaktuara në nenin 3, që lidhet me ndihmën ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës, dhe nenin 17, që lidhet me përfitimin material nga një shërbim i huaj inteligjence”, thuhet në dokument.

Sipas nenit 3 të këtij ligji, vepër penale kryen personi që merr pjesë në aktivitete të cilat mund t’i ndihmojnë në mënyrë të konsiderueshme një shërbimi të huaj të inteligjencës në aktivitete që lidhen me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa e di ose në mënyrë të arsyeshme duhet ta dijë se veprimet e tij ka të ngjarë t’i ndihmojnë këtij shërbimi.

Përmasat e spiunazhit shtetëror kinez të drejtuar ndaj Mbretërisë së Bashkuar janë aq të mëdha, saqë MI5 ka vendosur të përdorë një strategji parandaluese përmes një paralajmërimi publik, në vend të nisjes së procedurave individuale.

Shërbimi shpreson që universitetet ta marrin seriozisht paralajmërimin dhe të ndërpresin menjëherë bashkëpunimin me CGTRI-në.

The Guardian ka mësuar se MI5 beson se shërbimi kinez i inteligjencës ka siguruar qasje edhe në kërkime të avancuara britanike mbi mbledhjen e të dhënave nga rrjetet sociale.

Qeveria dhe universitetet bëjnë thirrje për kujdes

Ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, u ka kërkuar universiteteve të ndërpresin lidhjet me CGTRI-në.

“Ky paralajmërim zbulon përpjekjet e agjentëve kinezë të inteligjencës për të përfituar në mënyrë të fshehtë nga ekspertiza dhe kërkimet e akademikëve tanë, duke rrezikuar kështu sigurinë tonë kombëtare dhe sigurinë e aleatëve tanë.

U kam shkruar të gjithë rektorëve të universiteteve për t’u siguruar që ata t’i mbështesin stafet e tyre në ndërprerjen e të gjitha marrëveshjeve me këtë kompani. Në këtë mënyrë do të parandalojmë përfitimet e mëtejshme për shërbimet kineze të inteligjencës dhe do të sigurojmë respektimin e Ligjit për Sigurinë Kombëtare”, deklaroi ai.

Vivienne Stern, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Universities UK, e cila përfaqëson 142 institucione, tha se universitetet i marrin shumë seriozisht përgjegjësitë e tyre për sigurinë e kërkimeve.

“Ky sektor ka investuar ndjeshëm vitet e fundit në forcimin e kontrolleve dhe proceseve të sigurisë, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë bashkëpunimin ndërkombëtar, i cili është i domosdoshëm për kërkimet e nivelit të lartë”, tha ajo.

Libby Hackett, drejtoreshë ekzekutive e Russell Group, shoqatës së universiteteve kryesore kërkimore, deklaroi:

“Të gjitha universitetet tona e marrin shumë seriozisht përgjegjësinë për sigurinë kombëtare. Bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë dhe shërbimet e sigurisë u mundëson universiteteve të reagojnë shpejt për mbrojtjen e interesave britanike dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë përballë kërcënimeve të reja”. /Telegrafi/