Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar masën e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, duke thënë se çështja duhet t’i lihet drejtësisë dhe se deri më tani Shqipëria nuk ka marrë shqetësime nga partnerët ndërkombëtarë lidhur me materialet e bëra publike.
Rama i bëri komentet të mërkurën në Tiranë, gjatë konferencës së përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Vizita e saj në Shqipëri është pjesë e turneut në Ballkanin Perëndimor, me fokus në procesin e integrimit evropian.
I pyetur për rastin e ish-drejtoreshës së SHISH-it dhe nëse kjo çështje ishte diskutuar me von der Leyen, Rama tha se zhvillimet që në Shqipëri paraqiten nga disa si regres, nga Bashkimi Evropian shihen si dëshmi të funksionimit të institucioneve dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas Ramës, Shqipëria po kalon nga një sistem ku korrupsioni ishte pjesë e mënyrës së funksionimit të shtetit, drejt një sistemi që, sipas tij, po fiton aftësi për t’u “vetëkorrigjuar” dhe “vetëpastruar”.

“Duhet t’ia bëni pyetjen vetes pse Komisioni Europian, pse Bashkimi Europian, ngjarje që në vend trajtohen për të goditur dhe përhapur valë dëshpërimi, i shikon si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner shumë serioz”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se ajo që nga një pjesë e opinionit në Shqipëri shihet si regres, sipas tij, nga Bashkimi Evropian shihet si progres dhe transformim.
Duke iu referuar informacioneve sensitive që lidhen me hetimin, Rama tha se vlerësimi nëse është cenuar siguria kombëtare apo besueshmëria e Shqipërisë te partnerët duhet t’i lihet gjykatës dhe jo interpretimit publik të materialeve hetimore.
“Sa i takon informacioneve sensitive, unë mendoj se i duhet lënë gjykatës dhe jo leximit sporadik të materialeve hetimore”, tha ai.
Kryeministri shqiptar theksoi gjithashtu se, deri më tani, autoritetet nuk kanë marrë ndonjë shqetësim nga partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje.
“Lajmi që kam për ju është që një shqetësim i tillë për këto materiale nuk na ka ardhur deri më tani nga asnjë partner”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se tashmë u takon prokurorëve dhe gjykatës të bëjnë punën e tyre, ndërsa përfundimi i procesit do të tregojë nëse ka pasur shkelje apo cenim të interesave të sigurisë.
Rasti i Vlora Hysenit është në vëmendjen e opinionit publik në Shqipëri, ndërsa SPAK po zhvillon hetime që lidhen, ndër të tjera, me pretendime për nxjerrjen e informacioneve të klasifikuara.





