I arrestuar në Serbi me dokumente false të Kosovës: Kush është Vuk Vulleviq?

Nacionale

U arrestua në Serbi me kërkesë të Malit të Zi, me dokumente të falsifikuara të lëshuara në Kosovë. Njëri nga të arratisurit më të kërkuar malazezë, i akuzuar për organizim të një grupi kriminal dhe trafikim të narkotikëve, ndodhet në paraburgim në Beograd. Autoritetet serbe nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se […]

Madhësia e shkronjave

U arrestua në Serbi me kërkesë të Malit të Zi, me dokumente të falsifikuara të lëshuara në Kosovë.

Njëri nga të arratisurit më të kërkuar malazezë, i akuzuar për organizim të një grupi kriminal dhe trafikim të narkotikëve, ndodhet në paraburgim në Beograd.

Autoritetet serbe nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si dhe prej kur Vuk Vulleviq gjendej në Serbi, si dhe nëse, pas arrestimit të tij më 11 korrik, do të ekstradohet në Mal të Zi.

“Bëhet fjalë për një person me një histori të gjatë në botën e krimit dhe, dukshëm, me lidhje shumë të mira, të cilat i kanë mundësuar të fshihet me sukses”, thotë për Radion Evropa e Lirë Vellimir Rakoçeviq, profesor i kriminalistikës në Fakultetin Juridik në Podgoricë.

Mali i Zi e kërkon Vulleviqin që nga viti 2024, nën dyshimet se ka qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të narkotikëve, të udhëhequr nga Vaso Ulliq dhe Radoje Zvicer.

Ulliq u arrestua në vitin 2024 në një operacion të policisë malazeze, me mbështetjen e Europol-it dhe FBI-së, ndërsa Radoje Zvicer, udhëheqës i dyshuar i klanit famëkeq të Kavaçit, vazhdon të jetë në arrati.

“Nga fillimi i viteve ‘90 e deri më sot, kriminelët nuk kanë njohur kufij. Ky rast mund të japë shpresë se thënia se kriminelët janë gjithmonë një hap përpara shtetit, nuk qëndron domosdoshmërisht”, thotë Rakoçeviq.

Nga Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi thanë se ekstradimin e Vulleviqit e kanë kërkuar nga Beogradi që në fillim të vitit 2025, pasi kishin marrë informacion se “i arratisuri ndodhej në territorin e Serbisë”.

Autoritetet në Beograd nuk i komentuan këto pretendime.

As Policia e Kosovës nuk komentoi për Radion Evropa e Lirë raportimet se Vulleviqit, gjatë arrestimit, iu gjetën dokumente të falsifikuara të lëshuara në Kosovë, duke theksuar se arrestimi ka ndodhur në një shtet tjetër.

Pretendimet e policisë nuk pranoi t’i komentojë për Radion Evropa e Lirë as avokati i Vulleviqit, Aleksandar Shqekiq.

Vuk Vulleviq u arrestua më 11 korrik në një restorant në Beograd.

Pasi ministri i Brendshëm i Malit të Zi tha se arrestimi ishte rezultat i bashkëpunimit të koordinuar mes autoriteteve të Malit të Zi dhe Serbisë, policia serbe reagoi duke deklaruar se informacionet operative, si dhe planifikimi dhe zbatimi i aksionit, ishin rezultat i punës së Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Policia serbe njoftoi se gjatë arrestimit, Vulleviqit iu sekuestruan dy telefona celularë dhe iu gjetën dokumente personale të falsifikuara. Për këtë arsye, ndaj tij do të ngrihet edhe kallëzim penal.

“Është e mundur që ai të jetë fshehur për një kohë në Serbi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sasha Gjorgjeviq, analist në organizatën joqeveritare Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transkombëtar.

Sipas tij, këtë e sugjerojnë rrethanat e arrestimit, pasi Vulleviq u lokalizua në një objekt hotelierik në Beograd, me dokumente të falsifikuara dhe dy telefona celularë.

“Kjo lë të kuptohet se ai nuk ishte thjesht kalimtar, por po përpiqej ta fshihte identitetin dhe, me gjasë, kishte një mbështetje të caktuar logjistike. Megjithatë, është e vështirë të vlerësohet se sa kohë ka qëndruar në Serbi dhe kush mund ta ketë ndihmuar”, shton Gjorgjeviq.

Çfarë thonë autoritetet në Podgoricë?

Autoritetet malazeze thonë se që në fillim të vitit 2025 kanë marrë informacione se Vuk Vulleviq ndodhej në Serbi dhe se tani presin që ai të ekstradohet.

“Përveç fletarrestimit ndërkombëtar, ndaj Vulleviqit është në fuqi edhe kërkesa për ekstradim, të cilën Ministria e Drejtësisë ua ka dërguar autoriteteve kompetente të Serbisë më 17 shkurt 2025”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë së Malit të Zi.

Gjykata e Lartë në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se Mali i Zi e ka dorëzuar më herët kërkesën për ekstradim dhe se ndaj Vulleviqit është caktuar masa e paraburgimit, me arsyetimin se ekziston rreziku që ai të fshihet ose të arratiset për të penguar procedurën e ekstradimit.

Vendimin përfundimtar për ekstradimin do ta marrë Ministria e Drejtësisë e Serbisë, e cila nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

“Pres që ky rast të mos përfundojë si ai i ish-udhëheqësit të një grupi kriminal nga Budva”, thotë kriminologu Rakoçeviq.

Beogradi, tash e dhjetë vjet, nuk u është përgjigjur kërkesave të Podgoricës për ekstradimin e Svetozar Maroviqit, ish-president i Bashkësisë Shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Maroviq u dënua në Mal të Zi me tre vjet e dhjetë muaj burg për keqpërdorime financiare shumëmilionëshe në Budvë.

Pasi pranoi se kishte udhëhequr një grup kriminal, ai u largua për në Beograd në mes të vitit 2016, me arsyetimin se do të trajtonte një problem shëndetësor.

Që atëherë, ai nuk është kthyer më në Mal të Zi.

Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danillo Sharanoviq, e ka përshkruar Vuk Vulleviqin si simbol dhe figurë kryesore të krimit të organizuar në veri të këtij vendi.

Sipas ministrit, Vulleviq, me prejardhje nga qyteti i Beranes, kishte aq shumë ndikim saqë vendoste se kush do ta drejtonte policinë në këtë qytet, përcaktonte lëvizjen e patrullave policore dhe siguronte funksionimin pa pengesa të rrugëve të kontrabandës së cigareve.

Gjatë tri dekadave të fundit, emri i tij është përmendur në disa hetime.

Ai është akuzuar për kontrabandë kokaine nga Venezuela dhe për vrasjen e inspektorit të policisë, Sllavolub Shqekiq, në vitin 2005, por është shpallur i pafajshëm për të dyja rastet.

Policia malazeze e ka përmendur, gjithashtu, si një nga personat e dyshuar për vrasjen ende të pazbardhur të kryeredaktorit të gazetës Dan, Dushko Jovanoviq, në Podgoricë në vitin 2004, por ndaj tij nuk është zhvilluar ndonjë procedurë penale.

Vulleviq është kërkuar edhe në kuadër të operacionit ndërkombëtar “General”, gjatë të cilit policia malazeze, me ndihmën e autoriteteve evropiane, amerikane dhe australiane, ka arrestuar në korrik të vitit 2024 nëntë persona.

Prokuroria i ka akuzuar ata se, si pjesëtarë të një grupi kriminal ndërkombëtar, kanë marrë pjesë në kontrabandën e rreth 2.5 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe Australisë.

Si drejtues të këtij grupi janë identifikuar Vaso Ulliq, Sllobodan Kashçellan dhe Radoje Zvicer.

Dy të parët ndodhen tashmë në burg në Mal të Zi, ndërsa Zvicer, që konsiderohet udhëheqësi i klanit kriminal të Kavaçit, nuk dihet se ku ndodhet prej se është plagosur në Kiev në vitin 2020.

Së voni, zyrtarët në Podgoricë i kanë hedhur poshtë akuzat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Mali i Zi i ka “eksportuar” klanet e drogës në Serbi, duke bërë thirrje që lufta kundër krimit të organizuar të zhvillohet përmes bashkëpunimit institucional, e jo përmes akuzave politike.

Klani i Kavaçit është në konflikt me klanin rival të Shkalarit.

Të dyja grupet e kanë origjinën nga zona e Kotorrit në Mal të Zi dhe janë në armiqësi që nga viti 2014, pas zhdukjes së një sasie droge në Spanjë.

Që atëherë, në përleshjet mes tyre në Mal të Zi, Serbi dhe vende të tjera janë vrarë dhjetëra persona.

“Kjo është padyshim organizata kriminale më vdekjeprurëse – të paktën në Ballkan – gjatë dekadave të fundit, pikërisht sepse ka karakter ndërkombëtar dhe ka ndërtuar një rrjet kriminal në nivel global”, thotë Rakoçeviq.

“Shikoni vetëm sekuestrimet më të mëdha të kokainës në trekëndëshin Amerika e Jugut – Evropa, madje edhe Afrika dhe Australia. Ato nuk do të mund të realizoheshin pa përfshirjen e grupeve kriminale të profilit të lartë, të lidhura pikërisht me këtë dhe klane të tjera”, shton Rakoçeviq.

Grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë identifikuar nga organizata ndërkombëtare, si Europol-i dhe Interpol-i, si ndër aktorët kryesorë në kontrabandën e kokainës nga Amerika Latine drejt tregjeve veçanërisht në Evropën Perëndimore.

Sipas Gjorgjeviqit, këto grupe bashkëpunojnë si rrjete biznesi – në mënyrë fleksibile dhe pragmatike.

“Ato i bashkon fitimi. Disa sigurojnë drogën ose ofrojnë shërbime, të tjerat organizojnë transportin dhe magazinimin, ndërsa të tjera dokumentet ose mbrojtjen. Prandaj, krimi në rajon nuk mund të shihet vetëm brenda kufijve kombëtarë, sepse këto grupe veprojnë në nivel rajonal dhe shpesh edhe global”, thotë ai.

Sipas analizës së fundit vjetore të rrezikut, të përpiluar nga Agjencia Evropiane për Rojën Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, Ballkani Perëndimor mbetet një korridor kyç transiti për krimin e organizuar ndërkufitar, veçanërisht për kontrabandën e njerëzve, drogës, armëve dhe dokumenteve të falsifikuara.

Në raport thuhet se rrjetet kriminale jo vetëm që nuk janë dobësuar, por vazhdojnë të përshtaten dhe të ndryshojnë mënyrat e tyre të veprimit.